Bachelor në Gjeografi


Aktualisht programi i nivelit të parë të studimit, përmban disiplina të mirëfillta gjeografike që ofrojnë njohuri bazë në shkencën e gjeografisë, por edhe disiplina të tjera ndihmëse dhe metodike që i shërbejnë formësimit shkencor të studentëve gjatë punës së tyre kërkimore.

Në nivelin e parë të studimit, misioni i departamentit lidhet ngushtë me:

  • hartimin e kurrikulave të përshtatshme të cilat mundësojnë përgatitjen e gjeografëve me formim të përgjithshëm gjeografik të konsoliduar, mbështetur në përmbajtje bashkëkohore dhe si kërkesë e përballimit të sfidave zhvillimore të shkencës së gjeografisë.
  • integrimin e sa më shumë disiplinave ndihmëse në programin bazë të studimit, të cilat lidhen ngushtë me shkencën e gjeografisë duke i dhënë asaj karakter më të integruar. Këto disiplina i shërbejnë drejtpërdrejt formimit gjeografik, duke përafruar shkençën e gjeografisë me kurrikulat e universiteteve më të mira të Europës Perëndimore. Ky mison i ka hapur rrugën ndryshimeve të rëndësishme konceptuale në fushën e gjeografisë.
  • dhënies përparësi të lëndëve me bazë teorike dhe aplikative që lidhen drejtpërsëdrejti me nevojat e tregut të punës, në drejtim të rolit të gjeografit në menaxhimin e problemeve që cënojnë zhvillimin e qëndrueshëm, aktivizimin e risqeve natyrore dhe atyre humane etj.
  • rritjen e përpjekjeve të të gjithë stafit akademik të departamentit për të realizuar këto misione, përmes rritjes së disiplinës së punës, e kërkesës së llogarisë në kontrollin dhe vlerësimin e njohurive, rritjen e nivelit shkencor e didaktik të leksioneve, seminareve, detyrave etj.
  • zbatimin me korrektësi e përgjegjësi përmbajtja e kurrikulës dhe të përfitohet sa më shumë përvojë nga aplikimi i saj.

Produktet  e pritshme:

  • përgatitjen e specialistëve gjeografë me nivel shkencor të atillë që ti përgjigjen në mënyrë adekuate nevojave dhe kërkesave specifike të tregut të punës,
  • paisjen e studentëve me koncepte dhe njohuri teorike gjeografike bashkëkohore nëpërmjet pasqyrimit adekuat të zhvillimit dhe ndryshimeve që njeh shkenca e gjeografisë si dhe me aftësi praktike, pra me mjetet e nevojshme të punës për të punuar me sukses e për të krijuar vazhdimisht në përputhje me nevojat e kohës.

Departamenti i Gjeografisë i ka kushtuar gjatë gjithë kohës një vëmendje të veçantë disiplinave të formimit bazë, duke vendosur edhe një raport të qëndrueshëm midis tyre dhe disiplinave të tjera.

Edhe pse janë ndjekur ritmet e zhvillimit të shkencës së gjeografisë të cilat kanë sjellë natyrshëm pasurimin e programeve me disiplina të tjera, Departamenti i Gjeografisë është  përpjekur që të mos i mbingarkojë studentët por të krijohet një shpërndarje e kënaqshme e ngarkesës mësimore në vite si dhe të vlerësohet  shkalla e vështirësisë për çdo lëndë.

Në përfundim të këtij niveli studimi, studenti paiset me diplomën e nivelit të parë DNP.

Shpërnda lajmin: