Shkolla verore e Osmanishtes 3  

Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë me Institutin e Gjuhës dhe Kulturës Turke “Yunus Emre” për të tretin vit radhazi, hapen aplikimet për pjesëmarrje në Shkollën Verore të Osmanishtes, e cila do të zhvillohet në periudhën 09-20 korrik 2018, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, si dhe pranë Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Tiranë.

Shkolla Verore e Osmanishtes, organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, me mbështetjen e Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë, zhvillohet si vazhdimësi e së njëjtës shkollë mbajtur për dy vite rresht. Ajo synon t’u mundësojë studentëve të nivelit Bachelor dhe Master, të degëve të Historisë, Gjuhë-Letërsisë, si dhe studentëve të tjerë të interesuar, përvetësimin e osmanishtes, në mënyrë që më pas ata të jenë në gjendje të transkriptojnë dokumentacione me rëndësi të veçantë historike, që gjenden në arkiva të ndryshme.

Në të njëjtën kohë, studentët pjesëmarrës në këtë shkollë, përmes leksioneve dhe referateve që do të mbahen nga profesorë dhe studiues të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Stambollit dhe institucioneve të tjera shkencore në vend, do të pajisen me njohuri shtesë mbi marrëdhëniet  historike, gjuhësore, trashëgiminë kulturore osmane në Shqipëri, si dhe me pasurinë arkivore osmane që gjendet në Arkivin e shtetit shqiptar.

Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues, specialistë të këtyre çështjeve të Universitetit të Tiranës, Instituti të Historisë, Akademisë së Shkencave, Universitetit të Stambollit,  si dhe nga bashkëpunëtorë të jashtëm me përvojë të gjerë në këto fusha.

Leksionet e osmanishtes do të mbahen nga pedagogë turq, të ardhur nga Universiteti i Stambollit në Turqi.

Programi mësimor do të realizohet në auditor dhe jashtë tij.

Programi në auditor përmban:

  1. Leksione për mësimin e osmanishtes (1/niveli fillestar).
  2. Leksione për mësimin e osmanishtes (2/niveli i avancuar).
  3. Leksione me njohuri të zgjeruara për historinë e periudhës së Perandorisë Osmane.
  4. Leksione mbi ndikimet gjuhësore të osmanishtes në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.
  5. Leksione mbi trashëgiminë arkivore osmane.
  6. Leksione mbi trashëgiminë arkitekturore osmane në Shqipëri.
  7. Leksione mbi shkrimet e vjetra të shqipes me këtë alfabet.
  8. Leksione informuese për aktivitetin e shqiptarëve të shquar si Sami Frashëri dhe të tjerë në atë periudhë.
  9. Leksione informuese mbi studimet e autorëve shqiptarë për Shqipërinë në periudhën osmane dhe bibliografitë e hartuara për to.

Programi jashtë auditorit parashikon:

  1. Ekspedita në qytetet ku ndeshen gjurmë të arkitekturës osmane, ku do të punohet në terren për leximin dhe deshifrimin e shkrimeve të vjetra me alfabet osman.
  2. Vizitë në Arkivin e Shtetit dhe bisedë informuese me specialistet e arkivit për dokumentacionin zyrtar, defterët dhe fermanët që gjenden aty.
  3. Vizitë në Muzeun Historik Kombëtar dhe bisedë mbi koleksionet muzeore të trashëguara nga kjo periudhë.
  4. Vizitë në Bibliotekën Kombëtare dhe bisedë mbi fondin e veçantë dhe materiale të shkrimeve të shqipes me alfabetin arab që gjenden aty.

Këtë vit, Shkolla Verore e Osmanishtes do të zhvillohet në dy nivele:

  1. Niveli fillestar
  2. Niveli i avancuar

Për çdo nivel do të pranohen nga 20 studentë.

Për hartimin e programit jemi mbështetur në përvojën e mëparshme, në nevojat që kanë studentët për këtë lloj dijeje, si dhe në nevojat që kanë arkivat dhe rrethet shkencore për përgatitjen e studiuesve në fushë të studimeve osmane.

Leksionet do të zhvillohen pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, si dhe pranë Bibliotekës së Qendrës së Gjuhës dhe Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë.

Aplikimet për shkollën verore do të kryhen deri më dt. 30 qershor 2018. Apliko tani këtu…

Me përfundimin e shkollës verore, pas testimit, të gjithë studentët do të pajisen me certifikatën e pjesëmarrjes.

Shpërnda lajmin: