Thirrje për pjesëmarrje në Shkollën verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin


SHKOLLË VERORE E GJUHËS, HISTORISË DHE CIVILIZIMIT BIZANTIN

Trashëgimia Kulturore Bizantine dhe Pabizantine në Shqipëri

Apliko tani >>

 

Shkolla verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me mbështetje të Fondacionit Alexander S. Onassis, ndër institucionet kulturore më prestigjioze ndërkombëtare greke për zhvillimin e Letrave, Artit dhe Shkencës.

Shkolla verore mirëpret, pa pagesë, studentë të ciklit të parë (Bachelor) dhe të dytë të studimeve (Master) nga Departamenti i Historisë dhe departamentet e tjera të Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë, si edhe studentë e të interesuar të tjerë, nën moshën 35 vjeç, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 18-27 shtator 2023, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (me pjesëmarrje fizike), ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”, etj.).

Shkolla verore ofron mësime të gjuhës dhe paleografisë greke bizantine në nivelin fillestar për studentë pa njohuri paraprake ose me njohuri bazike të ndonjë forme të gjuhës greke. Me “gjuhë greke bizantine” nënkuptojmë formën dominuese të gjuhës së shkruar greke gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine (v. 330-1453). Pjesëmarrësit do të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ndërmarrë hapat e parë në leximin e teksteve greke të periudhës bizantine. Një tipar i veçantë i Shkollës Verore është mundësia që u krijohet studentëve për të ndërthurur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes dokumenteve dhe kodikëve të dorëshkruar nga koleksioni i çmuar bizantin dhe pasbizantin (shek. VI-XIX) i Arkivit Qendror Shtetëror.

Në të njëjtën kohë, shkolla verore, përmes leksioneve dhe referateve, do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuritë e nevojshme mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës së Bizantit, pjesë e pandarë i të cilit vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë dhe të Profesor Agamemnon Tselikas, Drejtor i Arkivit Historik dhe Paleografik të MIET, Greqi. Stafi akademik përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga institucione prestigjioze të studimeve bizantine të Greqisë, nga Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm të tij, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën greke, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin.

Shkolla verore zhvillohet nën drejtimin shkencor, përgjegjësinë dhe koordinimin e z. Andi Rembeci, pedagog në Departamentin e Historisë.

Përmes leksioneve dhe referateve, studentët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth temave:

  1. Historia e gjuhës dhe e shkrimit grek bizantin
  2. Studime për arbrit gjatë mesjetës bizantine
  3. Dy kodikë të Gjeografisë së Ptolemeut (kodiku i Vatopedit, shek. XIII dhe kodiku i Bibliotekës Marciana, shek. XV).
  4. Hapësira gjeografike e arbërve gjatë periudhës bizantine
  5. Mbishkrimet në greqisht në territorin e Shqipërisë
  6. Kronografia bizantine: kodiku i dekoruar kronografik i Joan Skilicit, shek. XIII
  7. Trashëgimia jo materiale e Bizantit në Shqipëri: Arti i Muzikës Bizantine
  8. Monumente të arkitekturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri
  9. Arti i pikturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.
  10. Eksponate të trashëgimisë bizantine dhe pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar
  11. Tekste bizantine në librat e shtypur të bibliotekave të Beratit
  12. Kalaja bizantine e Beratit
  13. Dokumentet arkivore bizantine dhe diplomatika.
  14. Duke shfletuar Bizantin nga Shqipëria: Kodikë-Tekste-Art
  15. Bizanti dhe Rilindja: kodikë të shek. XV
  16. “Bizanti pas Bizantit” në hapësirën shqiptare
  17. Mbishkrimet në greqisht në territorin e Shqipërisë, dritare njohjeje me të shkuarën.
  18. Libërlidhja e kodikëve të dorëshkruar bizantinë

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj. Kështu, jashtë auditorëve, programi parashikon këto aktivitete shoqëruese:

  1. Vizitë në Arkivin Qendror Shtetëror dhe njohja me kodikët dhe dokumentet në gjuhën greke.
  2. Koncert me interpretime të muzikës bizantine nga kori bizantin “Joan Kukuzeli” me drejtues z. Theodhor Peci.
  3. Vizitë në Muzeun Historik Kombëtar dhe njohjen nga afër të koleksioneve muzeore të trashëguara nga periudha mesjetare. Vizitë në Pavijonin e Artit Ikonografik.
  4. Udhëtim mësimor drejt qytetit-muze mesjetar të Beratit dhe vizita në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, kalanë mesjetare të Beratit, kishat bizantine dhe pasbizantine të kalasë-monumente kulture etj.
  5. Udhëtim mësimor drejt qytetit të Gjirokastrës dhe Sarandës; njohja me trashëgiminë bizantine dhe pasbizantine të këtyre zonave, etj.

Numri total i pjesëmarrësve në shkollën verore do të jetë 40 vetë.

Aplikimet për shkollën verore do të kryhen online deri edhe më dt. 15 shtator 2023.

Me përfundimin e shkollës verore, të gjithë studentët do të pajisen me certifikata të pjesëmarrjes.

Apliko tani >>


Shpërnda lajmin: