Shkolla verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin: Trashëgimia Kulturore Bizantine dhe Pabizantine në Shqipëri


Apliko tani >>

Shkolla verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me mbështetje të Fondacionit Alexander S. Onassis dhe National Bank οf Greece Cultural Foundation, dy ndër institucionet kulturore më prestigjioze ndërkombëtare greke për zhvillimin e Letrave, Artit dhe Shkencës.

Shkolla verore mirëpret, pa pagesë, për të katërtin vit studentë të ciklit të parë (Bachelor) dhe të dytë të studimeve (Master) nga Departamenti i Historisë dhe departamentet e tjera të Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, por edhe studentë e të interesuar të tjerë, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 19-27 korrik 2021, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Muzeu kombëtar Muzeu i Artit Bizantin dhe Pasbizantin “Onufri” etj.), duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse ndaj Covid-19.

Shkolla verore ofron mësime të gjuhës dhe paleografisë greke bizantine në nivelin fillestar për studentë pa njohuri paraprake ose me njohuri bazike të ndonjë forme të gjuhës greke. Me “gjuhë greke bizantine” nënkuptojmë formën dominuese të gjuhës së shkruar greke gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine (v. 330-1453). Pjesëmarrësit do të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ndërmarrë hapat e parë në leximin e teksteve greke të periudhës bizantine. Një tipar i veçantë i Shkollës Verore është mundësia që u krijohet studentëve për të ndërthurur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes dokumenteve dhe kodikëve të dorëshkruar nga koleksioni i çmuar bizantin dhe pasbizantin (shek. VI-XIX) i Arkivit Qendror Shtetëror.

Në të njëjtën kohë, shkolla verore, përmes leksioneve dhe referateve, do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuritë e nevojshme mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë,profesor Agamemnon Tselikas, një autoritet botëror i Paleografisë dhe Drejtor i Arkivit Historik dhe Paleografik të National Bank of Greece Cultural Foundation (MIET), Greqi dhe nën drejtimin, organizimin dhe koordinimin e z. Andi Rembeci, pedagog në Departamentin e Historisë. Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga institucione prestigjioze të studimeve bizantine të Greqisë, nga Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm të tij, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën greke, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin.

Përmes leksioneve dhe referateve, studentët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth temave:

  1. Historia e gjuhës dhe e shkrimit grek bizantin
  2. Kodikët e Gjeografisë së Ptolemeut
  3. Duke shfletuar Bizantin nga Shqipëria: Kodikë-Tekste-Art
  4. Kodikët e purpurt të shek. VI: Petropolitanus-Patmiacus dhe Beratinus 1
  5. Studime për arbrit gjatë mesjetës bizantine
  6. Kronografia bizantine: kodiku i kronografisë së Joan Skilicit, shek. XIII
  7. Monumente të arkitekturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri
  8. Arti i pikturës bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.
  9. Dokumentet arkivore bizantine dhe diplomatika.
  10. Hapësira gjeografike e arbërve gjatë periudhës bizantine
  11. “Bizanti pas Bizantit” në hapësirën shqiptare
  12. Trashëgimia jo materiale e Bizantit në Shqipëri: Arti i Muzikës Bizantine
  13. Tekste bizantine në librat e shtypur të bibliotekave të Beratit
  14. Mbishkrimet në greqisht në territorin e Shqipërisë, dritare njohjeje me të shkuarën
  15. Bizanti dhe Rilindja: kodikë të shek. XV

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj. Kështu, jashtë auditorëve, programi parashikon këto aktivitete shoqëruese:

  1. Vizitë në Arkivin Qendror Shtetëror dhe njohja me kodikët dhe dokumentet në gjuhën greke.
  2. Vizitë në kapelën bizantine të Amfiteatrit të Durrësit dhe në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
  3. Koncert me interpretime të muzikës bizantine nga kori bizantin “Joan Kukuzeli” me drejtues z. Theodhor Peci.
  4. Vizitë në Muzeun Historik Kombëtar dhe njohjen nga afër të koleksioneve muzeore të trashëguara nga periudha mesjetare. Vizitë në Pavijonin e Artit Ikonografik.
  5. Udhëtim mësimor drejt qytetit-muze mesjetar të Beratit dhe vizita në Muzeun e Artit Bizantin dhe Pasbizantin “Onufri”, kalanë mesjetare të Beratit, kishat bizantine dhe pasbizantine të kalasë-monumente kulture etj.

Numri total i pjesëmarrësve në shkollën verore do të jetë 40 vetë.

Aplikimet për shkollën verore do të kryhen online deri edhe më dt. 14 korrik 2021.

Me përfundimin e shkollës verore, të gjithë studentët do të pajisen me certifikata të pjesëmarrjes.

Apliko tani >>

 

Shpërnda lajmin: