Prezantohet studimi lidhur me televizionet shqiptare në kuadër të projektit READ


Një studim lidhur me ndikimin e zyrave të shtypit dhe komunikimit në edicionet e lajmeve është prezantuar përballë një grupi gazetarësh dhe studentësh të gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Ky studim 6-mujor i organizuar në kuadër të projektit READ të mbështetur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan (AADF), pas një marrëveshjeje me Universitetin e Tiranës, u zbatua nga Prof. Asoc. Dr. Alban Tartari nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në bashkëpunim me Prof. Asoc. Dr. Lindita Camaj, nga Universiteti i Houston-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti, Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit Prof. Asoc. Dr. Mark Marku mirëpriti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë që ky departament i jep kërkimit shkencor, studimit të mediave dhe mbi të gjitha komunikimit të hapur e të përhershëm me gazetarët në tregun e punës.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Prof. Dr. Sabri Laçi theksoi rëndësinë e procesit të ndërkombëtarizimit në fushën e kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, si një prioritet i Universitetit të Tiranës.

Koordinatori i Projekteve pranë AADF z. Enrik Keco prezantoi projektet dhe mundësitë e aplikimit për gazetarët dhe studentët. AADF ofron një sërë mundësish aplikimi për projekte dhe angazhime të gazetarëve dhe studentëve në Shtetet e Bashkuara.

Prof. Lindita Camaj falënderoi AADF-në dhe Universitetin e Tiranës për bashkëpunimin dhe për mikpritjen në këtë seminar të hapur. Më tej, Prof. Tartari dhe Prof. Camaj prezantuan gjetjet e studimit dhe zhvilluan një bashkëbisedim me gazetarët dhe studentët e gazetarisë lidhur me problematikat e medias shqiptare.

Projekti READ i AADF synon nxitjen dhe mundësimin e bashkëpunimit mes akademikëve nga Shqipëria me akademikë shqiptarë që punojnë në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA dhe Kanadasë.


Shpërnda lajmin: