DGK seminar me 50 ushtarakë të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm


Një grup ushtarakësh, të përbërë nga pedagogë dhe kursantë të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm  në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura u mirëpritën në një seminar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (FHF), organizuar nga Departamenti Gazetarisë dhe Komunikimit (DGK).

Zv/Dekania e FHF, Prof. Dr. Dhurata Shehri shprehu mirëseardhjen dhe theksoi se bashkëpunime të tilla duhet të shtohen, në të mirë të punës dhe aktiviteteve të këtyre strukturave arsimore. Prof. Shehri theksoi se FHF mbetet e hapur në çdo kohë për bashkëpunime kërkimore, shkencore dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Shefi i Departamentit të Udhëheqjes Ushtarake në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kolonel Mehmet Metko, falënderoi për organizimin e këtij seminari të hapur me fokus median dhe komunikimin publik të ushtarakëve. Kolonel Metko, theksoi gatishmërinë e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura për bashkëpunime të mëtejshme dhe konkrete me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Pedagogët e DGK, Prof. Asoc. Dr. Alban Tartari dhe Prof. Asoc. Dr. Zylyftar Bregu bënë një prezantim të zgjeruar lidhur me rolin dhe angazhimet e strukturave ushtarake në fushën e medias dhe komunikimit publik.  Prof. Tartari u përqendrua tek çështjet e marrëdhënieve publike dhe ndërtimit të imazhit në median sociale, ndërsa Prof. Bregu u fokusua tek imazhi i Forcave të Armatosura në media dhe sfidat në këtë drejtim. Një prezantim i zgjeruar në formën e bashkëbisedimit u bë me pjesëmarrjen e të gjithë ushtarakëve të pranishëm.

Pedagogët e Grupit të Lidershipit në Departamentin e Udhëheqjes Ushtarake, Nënkolonel Dido Omeri dhe Nënkolonel Roland Shaba, theksuan rëndësinë e medias dhe komunikimit publik në punën e ushtarakëve të lartë shqiptarë, në një kohë kur Shqipëria duhet të ecë sipas standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.


Shpërnda lajmin: