Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI takon Ambasadoren e Republikës së Greqisë, Znj. Sophia PHILIPPIDOU

Më 19.02.2020, Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT-së e vizitoi Shkëlqesia e Saj, Znj. Sophia PHILIPPIDOU, Ambasadore e Republikës së Greqisë në Tiranë, e shoqëruar nga Sekretari i Parë i Ambasadës, z. Kostandinos KARAMOUSALIS.

Ata u pritën nga Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI, Përgjegjësja e Departamentit të Historisë, Prof. asoc. dr. Eva HYSKAJ, Zv. Dekani, Prof. asoc. dr. Ermal BAZE dhe pedagogu MSc. Andi REMBECI.

Pasi u uroi mirëseardhjen, Prof. LAÇI i njohu diplomatët me organizimin e FHF-së, programet, stafin akademik dhe atë ndihmës, numrin e studentëve sipas niveleve, infrastrukturën mbështetëse, bashkëpunimin ndërdepartamental, ndërfakultetor dhe ndëruniversitar, pjesëmarrjen në projekte me partnerë nga universitetet e Greqisë dhe të shteteve të tjera, si dhe me institucione ndërkombëtare në nivel europian dhe më gjerë. Ai lavdëroi Ambasadën e Greqisë për mbështetjen në organizimin e Shkollës Verore për Gjuhën, Kulturën dhe Trashëgiminë Bizantine (financim i Fondacionit ONASIS dhe i FHF-së); për financimin dhe organizimin e vizitës njohëse-studimore të studentëve dhe pedagogëve nga Departamenti i Historisë dhe ai i Arkeologjisë e Trashëgimisë Kulturore; për kontributin në organizimin e mobilitetit të pedagogëve dhe studentëve etj.

Ambasadorja PHILIPPIDOU falënderoi ngrohtësisht pritësit, dha vlerësime për gatishmërinë e dekanatit të FHF-së për bashkëpunim me ambasadën dhe universitetet në Greqi, garantoi bashkëbiseduesit për vullnetin e palëkundur të Saj për të vazhduar projektet e nisura dhe për të mbështetur çdo iniciativë të re e interesante, të çdo njësie bazë të FHF-së, më qëllim që studentët dhe stafet universitare të ndjehen më afër dhe të bashkëpunojnë më gjerësisht, duke i shërbyer një qëllimi të përbashkët: zgjerimit dhe thellimit të dijeve shkencore dhe profesionale, si dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat.

Prof. asoc. HYSKAJ dhe z. KARAMOUSALIS u shprehën të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta dhe me interes reciprok.

Shpërnda lajmin: