Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI, priti studentët e USHT-së

 


Një grup studentësh të FSHMN-së të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Republika e Maqedonisë së Veriut, të shoqëruar nga Shefi i Departamentit të Gjeografisë, Prof. dr. Resul HAMITI dhe një ekip pedagogësh e asistentesh, zhvilluan një vizitë njohëse në mjediset e FHF-së të Universitetit të Tiranës, në kuadër të ekspeditës mësimore në Republikën e Shqipërisë.
Pasi u uroi mirëseardhjen, Dekani u prezantoi mysafirëve mjediset e punës dhe të aktiviteteve të studentëve; organizimin, programet mësimore dhe veprimtaritë shkencore që zhvillohen në FHF; nismat e institucionit për bashkëpunim dhe ndërkombëtarizim etj.
Në vijim, Dekani zhvilloi me studentët një bashkëbisedim të ngrohtë, lidhur me mundësitë e mëdha që ekzistojnë sot për studime cilësore në të gjitha nivelet, orientimin në tregun e punës dhe shanset për karrierë profesionale dhe akademike. Nëse dëshironi të jeni të suksesshëm, theksoi ai, duhet të studioni thellësisht disiplinën akademike që keni zgjedhur, të mësoni shumë mirë anglishten ose një gjuhë tjetër të rëndësishme në komunikimin ndërkombëtar, të njihni dhe përdorni programet kompjuterike, si dhe të angazhoheni në projekte ndërkombëtare, të tipit ERASMUS+ etj.
Në fund, Dekani LAÇI u tha studentëve se dyert e FHF-së janë të hapura për ta, për të ndjekur studimet në programet master dhe/apo doktoratë, si dhe për të bashkëpunuar për realizimin e projekteve studentore dhe shkencore.


Shpërnda lajmin: