Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja sot në “Panairin e Punësimit”


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizuan sot “Panairin e Punësimit”. Përmes këtij aktiviteti u synua që institucioneve, kompanive, agjencive dhe OJF-ve t’u krijohen hapësirat e nevojshme për t’i njohur studentët me ofertat e tyre dhe me pritshmëritë e tregut të punës, mundësitë, procedurat për internshipe, praktika profesionale e punësim, si dhe për bashkëpunime të tjera me interesa të ndërsjella.

Në fjalën e hapjes, Dekania e FGJH-së, Prof. dr. Esmeralda KROMIDHA, pasi falenderoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse, theksoi se ky panair u ngrit për të përmbushur objektivat e UT-së dhe të dy fakulteteve, që kanë si strategji për t’i sjellë bizneset, institucionet, ndërmarrjet, tregun e punës, sa më afër studentëve dhe stafeve akademike, me qëllim që programet e studimit të përshtaten sa më mirë dhe studentët të orientohen për t’u integruar sa më mirë në tregun e punës.

Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI, pasi falenderoi të gjithë kolegët, kompanitë pjesëmarrëse, stafin ndihmës dhe studentët për organizimin dhe pjesëmarrjen në Panairin e Punës, theksoi që kjo nismë, që organiohet për herë të parë në këto përmasa, do të ketë vazhdimësi në vitet në vijim. Ballafaqimi midis kompanive dhe studentëve mund të gjenerojë energji të reja për të bashkëpunuar në të mirë të punësimit të të diplomuarve në fakultetet tona – theksoi Dekani. Me tej ai shtoi, se çështja e punësimit të studentëve ka qenë dhe do të jetë shqetësimi kryesor i autoriteteve drejtuese dhe stafeve akademike të UT-së, prandaj është me rëndësi komunikimi drejtpërdrejt me punëdhënësit. Në fund, Dekani falenderoi ngrohtësisht homologen E. Kromidha për angazhimin maksimal për realizimin bashkarisht të këtij eventi, si dhe Zv./Rektorin e UT-së, Prof. asoc. dr. Bernard DOSTI, që përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Rektorit, Prof. dr. Artan HOXHA.

Zv./Rektori B. Dosti përgëzoi drejtuesit e fakulteteve për frymën e bashkëpunimit, që mundësoi organizimin e këtij aktiviteti. Ashtu si UT-ja, edhe “Panairi i Punësimit” ka në qendër të vëmendjes së tij interesat e studentëve – theksoi ai. Kësaj i shërben edhe fuqizimi i Zyrave të Karrierës në çdo fakultet, si dhe lidhja e një sërë marrëveshjesh me kompani e subjekte të tjera, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit.

Shpërnda lajmin: