FHF dhe FGJH sot në “Panairin e Punës”


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizuan sot “Panairin e Punës”. Përmes tij institucionet, kompanitë, agjencitë dhe OJF-të iu njohën studentët me ofertat e tyre dhe me pritshmëritë e tregut të punës, mundësitë, procedurat për internshipe, praktika profesionale e punësim, si dhe për bashkëpunime të tjera me interesa të ndërsjella.

👉Në fjalën e hapjes, Dekani i FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI, pasi falënderoi të gjithë kolegët, kompanitë pjesëmarrëse, stafin ndihmës dhe studentët për organizimin dhe pjesëmarrjen në “Panairin e Punës” theksoi që ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për mundësitë që ofron. Edhe pse qasja në ditët e sotme me kompanitë që operojnë në tregun e punës është më e lehtësuar nëpërmjet sistemit online, jam i bindur që komunikimi i drejtpërdrejtë me studentët është më i vlefshëm. Prandaj, prania e kompanive në këtë panair u mundëson studentëve njohjen e drejtpërdrejtë me ofertat, mundësitë dhe avantazhet që ka sot tregu i punës. Në fund, Dekani falënderoi ngrohtësisht homologen Prof. dr. Esmeralda KROMIDHA për angazhimin maksimal, për realizimin bashkërisht të këtij eventi.
👉Dekania e FGJH-së, Prof. dr. Esmeralda KROMIDHA, pasi falënderoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse, theksoi se ky panair, tashmë në vitin e dytë të tij, shërben për të promovuar profesionet e ndryshme dhe aftësitë profesionale që kërkon tregu i punës. Ajo që na gëzon sot shumë është pjesëmarrja e bizneseve besnike, me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë gjithë kohës. Shpresoj që studentët të njihen me bizneset, të vetëofrohen dhe uroj që Fakultetet tona të jenë sa më afër këtyre bizneseve me programet e studimit. Ne jemi të hapur për forma të ndryshme bashkëpunimi që kanë për qëllim orientimin e studentëve tanë në tregun e punësimit, pasi e kemi të qartë që këta studentë duhet të qëndrojnë e të japin kontributin në vendin e tyre.
👉Panairin e përshëndeti edhe zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Nina Guga, e cila përgëzoi drejtuesit e fakulteteve për organizimin e aktiviteteve të tilla, ku në qendër janë interesat e studentëve dhe njohja e tyre me subjektet publike e private dhe punësimi i tyre. Gjithashtu Panairi u vizitua dhe u përshëndet edhe nga ambasadori i Spanjës z. Alvaro Renedo Zalba.

👉 Në Panair morën pjesë rreth 45 kompani, që publikuan ofertat e tyre për praktika, punë sezonale e forma të tjera punësimi.


Shpërnda lajmin: