Programi bachelor – Gazetari

Profili “GAZETARI SOCIAL-KULTURORE”
Gazetaria social kulturore merr përsipër të formojë gazetarë të cilët përmes elementit kulturor (historisë së zhvillimit kulturor, historik e antropologjik kulturor, kinemasë, televizionit, arteve, radios, mediave elektronike dhe konsumit kulturor në shtypin e shkruar) të jenë në gjendje të dalin nga statusi i thjeshtë i raportuesit të një ngjarjeje kulturore a sociale dhe të hyjnë në statusin e gazetarit të mirëfilltë analizues e interpretues të zhvillimit shoqëror duke përdorur zhvillimin kulturor si pasqyrë për të. Ky është një profil ndërdisiplinor që përfshin në vetvete kurse
trajtueses të elementëve artistikë, historikë e politikë që ndikojnë në formimin e zhvillimin e një kulture, si dhe pajis me aparatin analitik për të aftësuar analizën e shoqërisë përkatëse në kohën e përzgjedhur duke përdorur çdo element kulturor të saj si indikator dhe provë të arsyetimit njëkohësisht.
Studentët e këtij profili kanë përftuar në fund të studimeve aftësinë për tu punësuar padyshim në të gjithë sektorët kulturorë e socialë të mediave, por gjithashtu ata marrin edhe profilin e ekspertit të komunikimit por edhe këshilltarët e komunikimit kulturor si në institucione publike a private ashtu edhe në këshillimin
e ndërtimit të fushatave komunikative masive.
Profesionet e mundshme për profilin social-kulturor (diploma bachelor) :
– Asistent editor i faqes kulturore
– Gazetar i suplementit socio-kulturor
– Gazetar në mediat me profil kulturor
– Reporter i kultures
– Asistent i marrëdhënieve me shtypin i agjencive socialkulturore
– Zëdhënës shtypi i agjencive socialkulturore
– Menaxher mediave sociale me profil socialkulturor
– Animator i aktiviteteve socialkulturore
– Asistent moderator i emisioneve sociokulturore në mediat audiovizive

Profili “GAZETARI POLITIKE”
Profili “Gazetari Politike” iu propozohet studentëve, dhe profesionistëve të ardhshëm të gazetarisë me dy përparësi të rëndësishme: Së pari të definoje qartë fushën e gazetarisë politike, të thyej mitin që gazetari në Shqipëri, do të
thote të raportosh vetëm për politikë. Së dyti “Gazetaria Politike” shkon përtej raportimit politik, si një aktivitet shumë më kompleks dhe i larmishëm, dhe që reflektohet tek formimi i studentit.
Përpos lëndëve të përgjithshme, profili “Gazetari-Politike” ofron tetë kurse tërësisht të profilizuara, me staf akademik të brendshëm dhe të jashtem, me gradën “doktor” dhe në proçes doktorature. Ky profil i jep mundësinë studentëve të komunikimit që të kenë dije në dy disiplina tradicionalisht të ndara si politika dhe fusha e komunikimit, por që me zhvillimet e kohëve të sotme ndërthuren në një disipline të vetme, ku një mesazh politik nuk mund të quhet më i tillë nëse ai nuk kalon nëpërmjet filtrit mediatik. Studenti pasuron eksperiencën e tij studimore
në dy dimensione, në një dimension reflektiv duke ravijëzuar disa koncepte themelore të universit te politikës, dhe nga ana tjetër në një dimension praktik të mësojë teknikat gazetareske të raportimit në media mbi çështjet politike.
Perspektiva e punësimit orientohet drejt redaksive mediatike në ndertimin e lajmeve politike por dhe në entitete tjera si OJF-t, partitë politike, institucione publike ne organizime fushatash, aktivitete konsultative dhe marrëdhenie publike.
Gazetaria politike ndjen gjithmonë e më tepër nevojën e shkëputjes nga agjencitë e vjetra – partitë politike – apo institucione te tjera, dhe të orientohet drejt agjencive të hapësirës publike të rrjetit, komunikimit politik virtual, si përgjigje ndaj ndryshimeve të kohës. Gazetari politik ngjan gjithmonë e më pak me gazetarin klasik, ai është një “blogger”, një opionion-bërës që raporton dhe ngre çështje në kohë reale në rrjetet sociale, me një qasje profesionale krejtësisht të orientuar drejt implementimit të teknologjive bashkëkohore. Profili “Gazetari – Politike” e ndjek studentin për dy vitet e para , deri kur fillon profilizimi sipas atelieve të mediave të shkruara, vizuale dhe mediave të reja, por duke mos u shkëputur nga formimi i tij.
Profesionet e mundshme pas përfundimit të studimeve për profilin politik:
– Redaktor i informacionit politik
– Reporter politik
– Gazetar në mediat e agjencive politike
– Asistent i marrëdhënieve me shtypin i agjencive politike
– Zëdhënës shtypi i agjencive politike
– Menaxher i mediave sociale me profil politik
– Komentator politik i mediave
– Asistent moderator i emisioneve politike në mediat audiovizive

Profili “GAZETARI EKONOMIKE”
Kërkesa e madhe e tregut të punës për gazetarë të aftë për të raportuar lajmet mbi ekonominë dhe biznesin në median audiovizive, shtyp, online, etj si dhe impakti i thellë që ka ekonomia në jetën e gjithëkujt janë arsyet kryesore që ky profil ka në fokus ekonominë. Zhvillimet teknologjike dhe interneti e kanë bërë botën më të vogël. Shumë
gjëra kanë ndryshuar por vetëm një gjë jo: biznesi dhe ekonomia. Ato mbeten të komplikuara dhe shkrimet në këtë fushë mbartin rrisk. Cdo ditë ekziston mundësia për gabime, keqkuptime apo keqinterpretime. Profili synon të ndihmojë studentët e gazetarisë të reduktojnë këto risqe dhe të ndihen komod me profesionin e tyre.
Raportimi jo vetëm i ekonomisë por edhe i disiplinave të tjera do të ishte i mangët pa disa njohuri ekonomike. Ndërsa studimi mbi ekonominë e medias paraqitet si domosdoshmëri sot kur shumë rregulla e ligje po përmbysen në epokën dixhitale, me shfaqjen e medias se re.
Ndërkaq, eksperienca, përkushtimi dhe angazhimi i pedagogëve në këtë profil, një pjesë e të cilëve vijnë nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës ndikon në suksesin dhe mbarëvajtjen e tij.
Profili është ndërtuar mbi bazën e tetë lëndëve të konceptuara si pjesë e një të tëre, ku përmbajtja, aspekti teorik dhe praktik harmonizohen më së miri me njëra – tjetrën. Më konkretisht në lëndën: Teoritë e mendimit ekonomik studentët njihen meteoritë kryesore ekonomike dhe aplikimin e tyre përgjatë zhvillimeve të ndryshme
historike dhe në ditët e sotme. Ndërsa lënda Bazat e menaxhimit trajton njohuri të domosdoshme mbi konceptin e menaxhimit dhe rolin e tij në shoqëri, kriteret për identifikimin e aktiviteteve menaxheriale, identifikimin dhe sqarimin e funksioneve bazë menaxheriale (planifikim, organizim, udhëheqje & motivim, kontroll). Funksionet
menaxheriale trajtohen edhe në kuadrin e mjedisit të organizatave të biznesit. Lënda Bazat e marketingut ka si objektiv kryesor të zhvillojë aftësitë për të kuptuar dhe drejtuar marketingun. Ky kurs synon të nxisë dhe të udhëheqë këtë proces. Një prirje e viteve të fundit në praktikën e bizneseve (përfshirë dhe biznesin e medias) është
integrimi i planifikimit të marketingut në procesin e planifikimit të biznesit. Përveç kësaj, funksion i marketingut është dhe zgjerimi i perspektivave për të qenë sa më konkurrues. Në lëndën Shteti social dhe tregu merren në analizë aspektet kryesore të shtetit social dhe funksionimit të tregut, sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet në
ditët e sotme. Ndërsa lënda Raportimi i ekonomisë pajis studentët me njohuri të domosdoshme nga fusha e makroekonomisë si dhe trajton koncepte themelore mbi ekonominë e medias. Lënda është konceptuar në dy pjesë, ku në pjesën e parë analizohen konceptet: produkti i brendshëm bruto (GDP), papunësi, inflacion, recesion,
deficiti tregtar, kriza, etj. njohja e të cilave do të mundësojë raportim profesional të lajmeve nga fusha e ekonomisë. Në pjesën e dytë analizohet media si sipërmarrje ekonomike, tregu mediatik, karakteristikat e produktit mediatik,struktura e pronësisë së medias, përqëndrimi, integrimi vertikal dhe horizontal i medias, financimi i medias, audienca dhe fragmentarizimi i saj, ekonomia e mediave të reja, konvergjenca, teknologjia, etj. Lënda Statistika për gazetarët ka si objektiv pajisjen e studentëve me njohuri bazë statistikore për praktika të ndryshme të gazetarisë. Zhvillimi i aftësisë së studentëve për të komunikuar lajme të ndryshme nëpërmjet argumentave statistikore si dhe për të shpjeguar dhe vlerësuar cilësinë e prezantimit statistikor të lajmeve në media; aftësimi i studentëve të kësaj dege në realizimin e analizave të thjeshta statistikore në praktikat e punës së tyre nëpërmjet aplikimi të njohurive në këtë fushë, etj. janë disa akse kryesore të lëndës. Për shkak se statistika shihet si një element i rëndësishëm në raportimin e lajmit në media, ku në shumë raste konsiderohet si përbërësi kryesor i lajmit të vërtetë ose i faktit të vërtetë, bën që kjo lëndë të jetë shumë e vlefshme për formimin e gazetarëve. Në lëndën Raportimi i biznesit trajtohen mënyrat se si funksionon një biznes, vecoritë si dhe specifikat që shfaqen në tregun
shqiptar. Studimi i biznesit të medias është në fokus të lëndës. Tema kryesore do të jenë: modelet e biznesit të medias, ndryshimet në strukturën e mediave, dallimi ndërmjet industrisë së medias dhe industrive të tjera, problemet e financimit të medias, etj. Kurse lënda Sistemi financiar ka në fokus strukturën, elementët përbërës si dhe karakteristikat e sistemit financiar. Thelbi i biznesit bankar, koncepti i transformimit bankar, bilanci i bankave, mbikëqyrësit bankar, specifikisht Banka Qendrore dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave, koncepti i panikut bankar dhe sigurimi i depozitave në bankat tregtare, etj. trajtohen gjerësisht në këtë lëndë.
Profesionet e mundshme pas përfundimit të studimeve për profilin ekonomik:
– Redaktor i lajmit ekonomik
– Gazetar i mediave ekonomike
– Asistent për marrëdhëniet me shtypin në agjenci financiare dhe ekonomike
– Reporter i biznesit dhe financave
– Zëdhënës shtypi i agjencive financiare dhe ekonomike
– Asistent moderator emisionesh financiare dhe ekonomike në mediat audiovizive
– Gazetar i suplementit me profil financiar dhe ekonomik

Shpërnda lajmin: