Tryezë e rrumbullakët me gjuhëtarë, specialistë të arsimit, mësues dhe Alumni me temë “Mësimdhënia e gjuhës amtare dhe kurikula e re”


Më 21 shkurt 2022 në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare,  Departamenti i Gjuhësisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit si dhe me ZyrënArsimore Vendore Tiranë, organizoi një tryezë të rrumbullakët me gjuhëtarë, specialistë të arsimit, mësues dhe Alumni me temë “Mësimdhënia e gjuhës amtare dhe kurikula e re”.

Në fjalën e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë, Prof. dr. Shezai Rrrokaj, theksoi rëndësinë e kësaj date të rëndësishme për gjuhën amtare dhe u ndal te disa nga çështjet si: kurrikula e re në sistemin parauniversitar dhe përvetësimi i gjuhës shqipe, trajnimi i mësuesve të gjuhës shqipe për zbatimin e kurikulës së re, si funksionon përvetësimi i gjuhës natyrore etj. Ai theksoi rëndësinë e gjuhës amtare dhe rolin përfaqësues dje identifikues që gjuha ka te individi.

Znj. Erjeta Alhysa, Drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Tiranë, në fjalën e saj theksoi se gjuhës shqipe i është dhënë prioritet, duke u bërë edhe pjesë e 12 viteve të arsimit parauniversitar. Por kohët e fundit, theksoi ajo, mësuesit janë para një detyre që të drejtojnë nxënësin drejt leximit të letërsisë dhe librave në gjuhën shqipe, sepse teknologjitë e reja i kanë larguar fëmijët prej tyre.

Znj. Alda Bardhyli, Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të librit dhe Leximit, në fjalën e saj përmendi se kjo ditë ka shërbyer si një ditë ndërgjegjësimi mbi rolin i diversitetit gjuhësor dhe kulturor, ndaj QKLL e ka kthyer në një ditë aktivitetesh të ndryshme, ku flitet për pastërtinë dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Ruajtja e shqipes është jo vetëm një detyrë e institucioneve, por edhe një detyrë e shoqërisë dhe vetë individit. Ajo tha se detyra e mentorëve në auditore është për të kumtuar me të gjithë dimensionin e shqipes duke iu përmbajtur kurrikulave, po ashtu edhe roli edukimit në shkollë është parësor.

Zv/dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Dr. Elsa Skënderi iu shprehu të ftuarve krenarinë për brezat e tërë të mësuesve e gjuhës dhe të letërsisë, të diplomuar në FHF dhe për shembullin e lartë profesional me të cilin ata edukojnë nxënësit.

Znj. Erida Koleci, specialiste e kurrikulës dhe trajnimeve të mësuesit (ASCAP), tha se kurrikula është një përpjekje për t’u afruar me vendet e tjera të zhvilluara, që dalin mirë në vlerësime ndërkombëtare dhe mbështetja në traditën e mirë kombëtare në shkrimin e programeve. Ajo e vlerësoi këtë tryezë të rrumbullakët që shërben për të rivendosur lidhjen e Fakultetit me mësuesit.

Disa sugjerime dhe kërkesa që mësuesit paraqitën gjatë tryezës së rrumbullakët, ishin që trajnimet e vazhduara profesionale të kryhen pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe testimet në kuadër të kualifikimit të hartohen po nga ky Fakultet. Gjithashtu, specialistët e pranishëm diskutuan edhe për përvetësimin e kurrikulës së re nga mësuesit dhe rolin e mentorit në udhëzimin e praktikantëve pranë shkollave. Të ftuar në takim ishin edhe Alumni të FHF-së, të cilët sot janë arsimtarë në Kosovë dhe që hodhën idenë për një kurrikul shkollore të përbashkët Shqipëri-Kosovë.


 

Shpërnda lajmin: