Nga takimi për prezantimin e modulit “Arkivi online”


Më datë 30.10.2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së u prezantua Moduli “Arkivi online”, i cili mundëson që çdo dokument të shfrytëzohet nga kompjuteri apo celulari i gjithsecilit.

Përmes aplikacionit novator të prezantuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, fryt i bashkëpunimit me AKSHI-në dhe nën kujdesin e zëvendëskryeministres së RSH-së, studiuesit mund të porosisin nga çdo vend i botës, në çdo orë të ditës dokumentet që u duhen dhe, pasi të kenë kryer pagesën, do të mund t’i marrin dokumentet e kërkuara brenda 1-5 ditësh. Module të ngjashme ka në vende si Britania e Madhe, Franca, SHBA, Italia, Turqia, ndërsa Shqipëria është vendi i parë në Europën Juglindore që aplikon këtë risi teknologjike.

Takimi prezantues, ku merrnin pjesë studentë, pedagogë, studiues dhe specialistë të arkivave, u përshëndet nga dekani i FHF-së, prof. dr. Sabri LAÇI, drejtoresha e IAKSHI-së, znj. Romina KOSTANI, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit BIDO, zëvendëskryeministrja e RSH-së, znj. Senida MESI.

Dekani i FHF-së falënderoi qeverinë shqiptare, IAKSHI-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për këtë nismë me interes për studentët dhe studiuesit, vlerësoi bashkëpunimin e rëndësishëm mes FHF-së dhe DPA-së, duke evidentuar kontributin në përgatitjen e arkivistëve të rinj në kuadër të Programit Master Profesional në Arkivistikë dhe në realizimin e praktikave mësimore, si dhe sugjeroi gjetjen e mundësive për ofrimin pa pagesë të këtij shërbimi për studentët dhe kërkuesit shkencor të rinj të FHF-së.

Drejtoresha e IAKSHI-së vlerësoi bashkëpunimin me DPA-në dhe shprehu vullnetin e institucionit që drejton për nisma të reja në të mirë të studentëve, studiuesve dhe qytetarëve, me qëllim ofrimin e shërbimeve të shpejta, ekonomike dhe cilësore.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave prezantoi modulin, duke demonstruar konkretisht të gjitha etapat e aplikimit online. Ai nënvizoi se ky modul ishte një prej kulmeve të strategjisë së digjitalizimit, për të cilin DPA-ja kishte punuar gjatë dy viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon. Gjithashtu, ai siguroi të pranishmit se përmes këtij moduli do t’i shërbehet më shpejt dhe më mirë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, duke i dhënë hov zhvillimit të kërkimit shkencor në vend.

Zëvendëskryeministrja e RSH-së theksoi se shërbimi i shpejtë dhe cilësor për çdo qytetar është një prioritet i qeverisë shqiptare. Ky aplikacion mundëson që në çdo kohë të mund t’i shërbehet studiuesit, pavarësisht nëse zyrat shtetërore janë të hapura apo të mbyllura. Ajo u dha garanci të pranishmëve për mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme për iniciativa të tilla novatore, të cilat  vijnë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare për digjitalizimin dhe inovacionin, nxisin bashkëpunimin midis institucioneve, si dhe përmirësojnë politikëbërjen, duke iu përgjigjur  më mirë kërkesave të tregut dhe nevojave të qytetarëve.

Shpërnda lajmin: