Marrëveshje Bashkëpunimi midis FHF-së dhe Projektit “Aftësi për punë”


Prof. dr. Sabri LAÇI, Dekani i FHF-së dhe z. Fation DRAGOSHI, Menaxher i Projektit “Aftësi për punë”, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis dy subjekteve.

Marrëveshja synon krijimin e marrëdhënieve të dobishme, mbi bazën e bashkëpunimin akademik, shkencor dhe kulturor, si dhe gjurmimin e gjetjen e mundësive për realizimin e praktikave mësimore, intershipeve dhe të punësimit për studentët dhe të diplomuarve në FHF.

Projektit “Aftësi për Punë” dëshiron të kontribuojë në përmirësimin e formimit profesional të studentëve, orientimin më të mirë në tregun e punës, si dhe në rritjen e potencialit konkurrues të tyre. Për arritjen e objektivave të tij, Projekti do të mbështetet nga Suisscontact Albania (OJF).

Me këtë rast, Dekani falënderoi ngrohtësisht partnerët për vullnetin për të bashkëpunuar me FHF-në në interes të studentëve, si dhe i siguroi ata për angazhimin serioz të autoriteteve drejtuese dhe të stafit të FHF-së në jetësimin e marrëveshjes.

Z. JORGJI (përfaqësues i Suisscontact Albania) shprehu vlerësime për FHF-në, si njësi kryesore e UT-së, IAL-së më të madhe të vendit, që përgatit studiues dhe profesionistë në disa fusha me interes kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe nënvizoi hapësirat e gjera që krijon marrëveshja për bashkëpunim dhe promovim.

Z. DRAGOSHI u angazhua për vënien në dispozicion të studentëve të kapaciteteve njerëzore, teknike dhe teknologjike të Projekti “Aftësi për punë”, me qëllim informimin në kohë reale, lehtësimin e procedurave për realizimin me cilësi të praktikave dhe mundësimin e punësimit.

Marrëveshja u nënshkrua më datë 31.05.2022. Përgjegjës për realizimin e saj për FHF-në do të jetë Zv./Dekani, Dr. Andi PINARI, ndërsa person kontakti do të jetë Kryetarja e Degës së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Karrierës, MSc. Blerina GEGA (KORESHI).


Shpërnda lajmin: