<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2018 <<
30 Tetor 2019 - Nga ligjërata e Prof. Tomorr Plangaricës, i Ftuar Nderi për filimvitin akademik 2019-2020, me studentët e Masterit Profesional të Mësuesisë. “Letërsia dhe gjuhësia” përmes analizës dhe interpretimit të poezisë antologjike të Ismail Kadaresë “Kristal”, u prit me shumë interes e ngjalli pyetje e diskutime me studentët.Falënderime dhe mirënjohje për ju, Profesor!
Organizata Botërore e Frankofonisë organizoi në datat 3-5 tetor 2019 në Gjakovë edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar “Rinia për Punësimin e Gjelbër” (FIJEV). Qëllimi i këtij forumi ishte promovimi i vendeve të gjelbërta të punës në dobi të të rinjve për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm. Shumë të rinj aplikuan online me projektet e tyre mjedisore dhe vetëm një pjesë e tyre fituan të drejtën t’i paraqesin ato në takimin final përpara një komisioni ndërkombëtar ekspertësh. Në përfundim, më shumë se 50 drejtues të rinj të projekteve nga Armenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia punuan me njeri-tjetrin në Gjakovë për të përmirësuar idetë e tyre të gjatë 3 ditëve radhazi. Shkëmbimet e ideve dhe përvojave, trajnimet, aftësimet, debatet ishin në axhendë gjatë këtij takimi. Mes të rinjve finalistë të aktivitetit ishin edhe studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjeografi, Fatjona Langa,Klisman Shegani dhe Klevis Turka. Studentët punuan në bashkëpunim me pedagogët frankofonë të këtij departamenti dhe projektet që ata paraqitën kishin lidhje me riciklimin e mbetjeve plastike të rekuperuara nga pastrimi i plazheve sipas metodës DeFishGear dhe me riciklimin strukturor të letrës në Universitete. Projektet e tyre u vlerësuan si shumë të mira dhe që garantojnë vetëpunësim të gjelbër.
Dekanati i Fakultetit të Historise dhe Filologjisë në bashkëpunim me Departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve Universitare, në datë 12.06.2019 organizuan aktivitetin sportiv-argëtues me temë " Një ditë ndryshe në jetën studentore". Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 400 studentë të fakultetit dhe u organizuan dy veprimtari sportive.- Kupa e volejbollit- djem-vajza;- Kupa e minifutbollit- djem.Në përfundim të këtyre dy sporteve vëndin e parë në volejboll u rendit Ekipi i Gjeografisë, ndërsa në minifutboll u rendit në vendin e parë ekipi i Historisë. Mbas këtyre dy aktiviteteve u organizua edhe një party, ku gjithë studentët pjesëmarrës u argëtuan me valle, kërcim dhe këngë të ndryshme nga të gjithë trevat e Shqipërisë. Në përfundim të aktivitetit mendimi i të gjithë studentëve ishte ne kishim nevojë për një aktivitet të tillë dhe shprehën gadishmërinë për organizimin dhe në të ardhmen të aktiviteteve të tilla, që e bëjnë jetën e tyre më të pasur.
Sot më 15.05. 2019, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, studentët e Gjuhë-letërsisë, viti i tretë, patën rastin të ndiqnin ligjëratën e mbajtur nga Z. Blendi Fevziu, me temë “Diskursi publik dje (në komunizëm) dhe sot (pas komunizmit)”. Ky takim u organizua nga pedagogia e Departamentit të Gjuhësisë, Dr. Elsa Rakipllari dhe nën kujdesin e veçantë të Dekanit të Fakultetit, Prof. Dr. Sabri Laçi.
Zoti Fevziu, si një prej zërave të përveçëm të diskursit publik shqiptar, solli në auditor këndvështrimin e tij profesional dhe intelektual për diskursin, ideologjinë dhe të shkuarën komuniste në përqasje me tiparet e diskursit publik sot. Ai ndau me studentët përvojat e tij profesionale dhe jetësore dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre të shumta rreth temës së trajtuar.
Takimet si ky i sotmi shërbejnë për t’i pasuruar aspektet teorike të lëndëve që zhvillohen në auditore, duke i ndërthuar ato me aspekte praktike dhe konkrete, si dhe me qasjet e personaliteteve të spikatura në fusha të ndryshme.