<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2018 <<
Organizata Botërore e Frankofonisë organizoi në datat 3-5 tetor 2019 në Gjakovë edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar “Rinia për Punësimin e Gjelbër” (FIJEV). Qëllimi i këtij forumi ishte promovimi i vendeve të gjelbërta të punës në dobi të të rinjve për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm. Shumë të rinj aplikuan online me projektet e tyre mjedisore dhe vetëm një pjesë e tyre fituan të drejtën t’i paraqesin ato në takimin final përpara një komisioni ndërkombëtar ekspertësh. Në përfundim, më shumë se 50 drejtues të rinj të projekteve nga Armenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia punuan me njeri-tjetrin në Gjakovë për të përmirësuar idetë e tyre të gjatë 3 ditëve radhazi. Shkëmbimet e ideve dhe përvojave, trajnimet, aftësimet, debatet ishin në axhendë gjatë këtij takimi. Mes të rinjve finalistë të aktivitetit ishin edhe studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjeografi, Fatjona Langa,Klisman Shegani dhe Klevis Turka. Studentët punuan në bashkëpunim me pedagogët frankofonë të këtij departamenti dhe projektet që ata paraqitën kishin lidhje me riciklimin e mbetjeve plastike të rekuperuara nga pastrimi i plazheve sipas metodës DeFishGear dhe me riciklimin strukturor të letrës në Universitete. Projektet e tyre u vlerësuan si shumë të mira dhe që garantojnë vetëpunësim të gjelbër.
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit në mjediset e sallës “Konrad Adenauer” të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gjeografisë promovoi 3 libra të botuar gjatë vitit 2018. Librat janë dy tekste mësimore për studentët e programit të studimit Master Profesional “GIS i aplikuar” me autorë përkatësisht Prof. Dr. Pal Nikolli dhe Prof.as.dr. Sonila Papathimiu, si edhe një punim doktorature i Dr. Orjana Hanxhari.
Këto botime vijnë si kontribute të rëndësishme në pasurimin e fondit didaktiko-shkencor të Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Këto botime u vlerësuan shumë dhe u pritën me mjaft interes nga kolegët e Departamentit, por edhe më gjerë, si edhe nga studentët e nivelit Bachelor dhe Master. Departamenti i Gjeografisë i falenderon autorët për punën e tyre dhe u uron suksese të mëtejshme në punën e tyre didaktike dhe kërkimore.