Fjala përshëndetëse e Dekanit të FHF-së në Konferencën shkencore të Departamentit të Historisë


I nderuar Rektor i Universiteti të Tiranës, prof. dr. Artan HOXHA,

E nderuar Drejtuese e Departamentit të Historisë, prof. dr. Valentina DUKA,

Të dashur kolegë dhe studentë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari, dëshiroj të përgëzoj ngrohtësisht kolegët e Departamentit të Historisë, të cilët, nën drejtimin kompetent të prof. Valit, sfiduan kufizimet e pandemisë, u mobilizuan dhe po realizojnë këtë konferencë të rëndësishme, dedikuar anëtarësimi dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Lidhjes së Kombeve dhe pasardhëses së saj, OKB-në.

Si dekan i këtij fakulteti, dëshiroj të sjell në vëmendje të audiencës faktin se kolegët e Departamenti i Historisë vazhdimisht kanë demonstruar vullnet të mirë dhe frymë bashkëpunimi për organizimin e veprimtarive shkencore të rëndësishme. Krahas konferencave të përvitshme, spikasin shkollat verore, seminaret në kuadër të projekteve,  takimet prezantuese dhe promovuese etj.  Rezultatet e veprimtarive shkencore kanë qenë gjithmonë interesante dhe të dobishme, në drejtim të ndriçimit të ngjarjeve e figurave historike, në dritën e të dhënave dhe fakteve të reja, si dhe të kushteve e mundësive të gjera, të krijuara pas vitit 1990.

Konstatoj me kënaqësi se, ndër të tjera, kjo konferencë është nderim për këto institucione me përmasa e rrezatim global, është homazh për personalitet që i kanë drejtuar ato me urtësi në kohë paqe dhe lufte, është mirënjohje për rolin vendimtar të kësaj organizate në të mirë të kombit shqiptar, është kujtesë dhe vlerësim për anëtarësimin dhe rolin e Shqipërisë në këto organizata, si dhe për përfaqësuesit e saj në to.

Të nderuar kolegë,

Puna, përkushtimi dhe arritjet tuaja më bëjnë krenar. Kur të publikohen aktet e plota të kësaj konference, që do të evidentojnë rrugën dhe veprimtarinë e Lidhjes së Kombeve dhe të OKB-së, si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me këto organizata, besoj se si unë do të ndjehet çdo qytetar i këtij vendi që beson në vlerat universale dhe kontributin e pashoq të tyre për paqen dhe progresin e njerëzimit, në rolin e tyre të pazëvendësueshëm në menaxhimin e krizave ndërkombëtare dhe të situata të pazakonta, si pandemia që ka mbërthyer botën që prej një viti.

Të nderuar pjesëmarrës,

Përfitoj nga rasti që, në emër të Dekanatit të FHF-së, të falënderoj Rektorin, prof. dr. Artan Hoxha, jo vetëm për pjesëmarrjen dhe përshëndetjen inkurajuese në konferencë, por edhe për angazhimin e shprehur qartë për mbarëvajtjen e punëve në UT dhe vëmendjen e veçantë që po i kushton kërkimit shkencor; prof. dr. Valentina Dukën, drejtuesen karizmatike të Departamentit të Historisë, kolegen dhe miken tonë të mirë, për rolin e veçantë e shumë të rëndësishëm në motivimin e stafit dhe organizimin e kësaj konference shkencore; të gjithëve ju, kolegë, studiues dhe studentë, që gjetët kohë për të marrë pjesë e kontribuuar në këtë aktivitet shkencor. Komplimente për organizatorët e konferencës dhe suksese kumtuesve!

Prof. dr. Sabri LAÇI

Tiranë, më 18.12.2020


 

Shpërnda lajmin: