Fjala përshëndetëse e Dekanit, Prof. dr. Sabri Laçi, në ceremoninë e çeljes së punimeve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare


Zoti Kryeminstër i Republikës së Kosovës,

I nderuar Rektor

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës

Të nderuar akademikë, profesorë, bashkëdrejtorë të seminarit

E dashur kolege, Dekane e Fakultetit Filologjik, të UP,

Të dashur bashkëdrejtues të Seminarit,

Është kënaqësi e veçantë të jemi sot të gjithë bashkë në këtë sallë për të diskutuar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ju siguroj se ky është tubimi më përbashkues mes nesh. Seminari ia ka dalë që të funksionojë për shumë vite me radhë, ky është edicioni i 39,  dhe jam shpresëplotë se kjo ngjarje e rëndësishme do të ketë jetëgjatësi të madhe. Universiteti i Tiranës ka qenë vazhdimisht i interesuar dhe kontribuues për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie, me stafin akademik të vetin, me prurjet shkencore, me lektorët që do të angazhohen, me studentët që marrin pjesë dhe sigurisht me marrëveshjet që janë përditësuar vit pas viti dhe që funksionojnë më së miri.

Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me universitetin e Prishtinës; sigurisht që ka ende hapësira të paeksploruara, të cilat me vullnetin e mirë të të dyja palëve mund të zhvillohen e të zgjerohen e pasurohen, vit pas viti.

Seminari për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është fjalëkalimi për të gjithë kërkuesit në këto fusha, të cilët dëshirojnë të shohin, të gjejnë, të studiojnë të rejat që vijnë në gjuhësinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare, jo vetëm për ata që flasin dhe lexojnë shqip, që shkruajnë e studiojnë gjuhën shqipe e kulturën shqiptare, letërsinë e kulturën shqipare por edhe të gjithë ata që në vendet e tjera në kombe të tjera përpiqen e mëtojnë të studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqiptare.

Ne i kemi pasur dhe i kemi dyert e hapura për të gjithë studiuesit e këtyre fushave edhe në Tiranë edh enë Prishtinë. Kështu që gjej rastin t’i falënderoj të gjithë ata të huaj, të cilët kanë vullnetin, dëshirën për të studiuar dhe për të promovuar gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Edhe në emër të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Artan Hoxha, i cili e pati të pamundur pjesëmarrjen në këtë aktivitet, dëshiroj të përgëzoj shumë sinqerisht organizatorët e aktivitetit, Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Dekanen, kolegen time të nderuar, bashkëdrejtuesit, pedagogët dhe stafet ndihmëse që kontribuuan me përkushtim për ta realizuar aktivitetin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ju uroj suksese të gjithëve!


Shpërnda lajmin: