Fjala e Dekanit të FHF-së, Prof. dr. Sabri Laçi në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare: “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”

I nderuar Prof. dr. Ylber SELA, Drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës,

I nderuar Prof. dr. Luan PERZHITA, Rektor i ASA-së

Të nderuar kolegë dekanë, z. Sulejmani (UT) dhe z. Bajrami (UEJL),

Te nderuar pjesëmarrës,

Ndjehem i nderuar që në këtë Konferencë Shkencore Ndërkombëtare, të cilën e organizon Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, t’ju përshëndes personalisht dhe në emër të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilin e drejtoj që prej katër vitesh.

Kam pasur kënaqësinë që autoritet drejtuese të Agjencisë t’i pres në Tiranë para rreth tri vitesh dhe, që prej asaj kohe, kemi punuar bashkërisht për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi. Duke përcjellë me vëmendje ecurinë e Agjencisë ndër vite, kam vërejtur se si drejtuesit dhe stafi i saj kanë punuar seriozisht për përballimin e detyrave të shumta e të vështira, të tilla si:

  • përzgjedhja, trajnimi dhe kualifikimi i përkthyesve dhe lektorëve, për të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, gjykatat, organet administrative dhe gjithë sektorit publik, duke angazhuar profesorët dhe specialistët më të kualifikuar nga Maqedonia е Veriut, Republika e Shqipëria dhe ajo e Kosovës;
  • botimi i një doracaku dhe konceptimi i një softueri të terminologjisë juridike dhe administrative, për t’u ardhur në ndihmë stafeve administrative;
  • vendosja e kontakteve dhe firmosja e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucione shkencore të specializuara në hapësirën shqiptare dhe më gjerë,
  • organizimi i veprimtarive për informimin dhe ndërgjegjësimin e popullsisë shqiptare dhe të popujve të tjerë në RMV, lidhur me rëndësinë e njohjes mirë dhe të përdorimit korrekt të gjuhës amtare dhe të gjuhëve të tjera;
  • organizimi i tubimeve shkencore në nivel nacional dhe ndërkombëtar etj;
  • publikimi i akteve të plota të konferencave në tri gjuhë etj.

Duke e përgëzuar Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës për arritjet e deritanishme, vlerësojmë se drejtuesit kanë vepruar drejt, duke e orientuar debatin në temën: “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”. Kjo edhe për faktin se jo rrallë vërehen probleme në përdorimin e gjuhëve, në përkthimin e veprave letrare dhe shkencore, të akteve juridike dhe administrative etj. Është i njohur faktin se leksiku profesional është i veçantë dhe i ndryshëm për çdo disiplinë, prandaj, si profesor dhe përkthyes i punimeve gjeografike dhe didaktike, i përmbahem tezës se nëse dëshirojmë të kemi përkthime korrekte dhe cilësore, ato duhet të realizohen nga profesionistë me formim të plotë në fushat përkatëse.

Roli i përkthyesit dhe i përkthimit, si ndërmjetësues jo thjeshtë mes gjuhësh, por edhe mes kulturash e qytetërimesh, mbetet një nga temat më frymëzuese në historinë e krijimtarisë njerëzore dhe çdo epokë historike e kulturore shënjon me admirimin e respektin më të madh përkthyesit dhe veprën përmes së cilës ata lanë gjurmë të pashlyeshme në to. Ndaj sot, në Ditën Botërore të Përkthimit, mirënjohja jonë shkon për përkthyesit, që na sollën në gjuhën shqipe vepra dhe kryevepra botërore nga të gjitha fushat, për ata që çdo ditë na mundësojnë të kuptojmë gjuhët e huaja, si dhe zhvillimet në botën e sotme, në epokën e globalizimit e të informacionit pa kufij.

Një ndër porositë e çmuara që na ka lënë Nelson Mandela, fitues i Çmimit Nobël për Paqe, është se “Nëse i flet njeriut në gjuhën që e merr vesh, fjalët do të shkojnë drejt në kokën e tij. Nëse i flet në gjuhën e tij, fjalët do të shkojnë drejt në zemrën e tij”. A nuk mjafton kjo për të kuptuar se sa i rëndësishëm është mësimi dhe përdorimi i gjuhës së tjetrit, aq më shumë kur tjetri është bashkatdhetari yt? Por sa dhe si po e mësojnë të rinjtë tanë gjuhën shqipe dhe gjuhët e huaja? Si po përgatiten përkthyesit e rinj sot, në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE? Përgjigjet për këto pyetje nuk janë aspak të thjeshta, por si drejtues i një fakulteti ku mësohet shqipja dhe disa gjuhë të huaja, vlerësoj se këto çështje meritojnë më shumë vëmendje, pasi nevoja për përmirësime rrënjësore është  urgjente.

Zonja dhe zotërinj,

Ndjeshmëria ndaj Ditës Botërore të Përkthimit është disi e veçantë në shtetet shumetnike si Republika e Maqedonisë së Veriut. Në shtete të tilla, është me rëndësi të tejkalohen paragjykimet, duke u dhënë përparësi elementeve përbashkues, që i konsolidojnë shoqëritë  shumetnike e shumë gjuhësore, ku bashkështetasit duhet të mësohen të dëgjojnë e të kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit, të kenë respekt për kulturën, përkatësinë etnike, besimin, statusin social, gjendjen ekonomike, gjininë, profesionin, identitetin e njëri-tjetrit.

Vetëm duke respektuar standardet ndërkombëtare dhe duke ndjekur modelet më të përparuara evropiane, duke respektuar parimet themelore të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mund të realizohet emancipimi shoqëror edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Urime për Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit dhe sukses konferencës!

Faleminderit për vëmendjen!

Prof. dr. Sabri LAÇI,

Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë

Shpërnda lajmin: