Pedagogë të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, takim me pedagogë dhe studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” për luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformimit


Një grup pedagogësh të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit (DGK) të Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me kolegët e tyre në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës (UAMD), zhvilluan një takim me studentë të degës së komunikimit në këtë universitet. Qëllimi ishte promovimi i projektit Fakespotting Eramus+, ku DGK është pjesëtar dhe kontribuues.

Pedagogët Rrapo Zguri, Ervin Goci, Elvin Luku dhe Erblin Jaku u mikpritën nga pedagoget e UAMD Viorela Polena dhe Lorena Licanji dhe zhvilluan një prezantim e më tej një bashkëbisedim me studentët. Në këtë takim u trajtuan specifikisht llojet e manipulimit në komunikimet publike, të cilat tërhoqën interesin e studentëve, të cilët bënë edhe pyetje dhe komente. Gjithashtu, u trajtuan tema si përdorimi i mediave sociale e konkretisht TikTok-ut në fushatat dezinformuese si dhe u sollën këndvështrime të pedagogëve për perceptimet publike të të rinjve për dezinformimin.

Valët e dezinformimit dhe lajmet e rreme si në mediat tradicionale dhe sidomos në mediat sociale online, janë tashmë një realitet i hidhur. Ky fenomen në komunikimet publike, shtrembëron perceptimet e shoqërive dhe ndikon në mënyrën sesi këto shoqëri e aplikojnë demokracinë. Nisur nga kjo, një grup universitetesh nga gjashtë vende evropiane dhe organizatash nën drejtimin e Universitetit të Bolonjës në Itali, nisi tre vite më parë projektin Fakespotting Eramus+, ku bën pjesë edhe Universiteti i Tiranës përmes Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.

Në këtë kuadër, e gjithë trupa akademike e DGK ka dhënë kontributet kërkimore dhe shkencore, në përgatitjen e moduleve prezantuese dhe botimeve shkencore. Brenda vitit 2023, të gjitha produktet e këtij projekti do të publikohen online në një platformë të hapur për publikun (e cila do të ketë edhe versionin e saj në gjuhën shqipe).

Për më shumë informacion për projektin Fakespotting Eramus+, vizitoni:

https://site.unibo.it/fakespotting-project/en

https://unitir.edu.al/fakespotting-2/


Shpërnda lajmin: