Mirënjohje për Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj dhe Prof. Dr. Petrit Nathanaili


Dekani i FHF-së, Prof. Dr. Sabri LAÇI, bashkë me Autoritetin Drejtues të Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Valentina Duka dhe Administratoren, Znj. Parashqevi POGAÇE,  në takimin e organizuar në dekanat, më datë 20.09.2023, u shprehën mirënjohjen Prof. Dr. Mimoza Gjokutajt dhe Prof. Dr. Petrit Nathanailit, me rastin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension.

Dekani Laçi vlerësoi maksimalisht kontributin shumëvjeçar të secilit prej profesorëve në procesin mësimor, kërkimin shkencor, çështjet e drejtimit dhe kualifikimit, të hartimit të kurrikulave dhe programeve, të studimeve dhe projekteve, të botimeve universitare, parauniversitare dhe monografike, si dhe gjithë veprimtaritë e tjera në kuadër të FHF-së, UT-së dhe më gjerë. Në vijim, ai shtoi se dy profesorët janë modele të spikatura të sjelljes dhe komunikimit, marrëdhënieve njerëzore dhe profesionale, vullnetit dhe përkushtimit në përmbushjen e detyrave, shembuj frymëzues për kolegët dhe studentët.

Vlerësime dhe konsiderata të larta shprehen për dy profesorët edhe autoritetet e tjera drejtuese, të pranishme në takim.

Përmes emocioneve të natyrshme që krijohen në raste të tilla, Prof. Gjokutaj dhe Prof. Nathanaili falënderuan autoritetet drejtuese të FHF-së për frymën e bashkëpunimit, raportet njerëzore dhe profesionale shumë të mira, mjedisin komod të punës, të krijuar në FHF përgjatë viteve, si dhe për organizimin e takimit, vlerësimet dhe mirënjohjen e thellë të shprehur në adresë të tyre.


Shpërnda lajmin: