Më 23 prill, në Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, në ditën simbol fjalës artistike, Departamenti i Letërsisë, i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të Universitetit të Tiranës, në përputhje me aktivitetet që zhvillon UNESCO-ja, organizoi një cikël veprimtarish kremtuese e promovuese. Seanca e parë e aktiviteteve u hap me fjalët përshëndetëse të përgjegjëses së Departamentit të Letërsisë, prof.as.dr. Lili Sula, dekanit të Fakultetit prof.dr. Sabri Laçi, Ministres së Kulturës, znj. Elva Margariti, si dhe kryetarit të Shoqatës së Botuesve Z. Petrit Ymeri.
Në fjalën përshëndetëse, znj. Margariti vlerësoi veprimtaritë e Ditës së Librit, të organizuara nga Departamenti i Letërsisë, si dhe shprehu mbështetjen e Ministrisë së Kulturës për bashkëpunime të afërta.
Si shprehje e dashurisë për letërsinë, e kënaqësisë së leximit, dhe e mirënjohjes së pamatë për rolin e paçmueshëm që luan libri në transmetimin e trashëgimisë sonë kulturore, u promovuan botimet më të fundit të stafit akademik të departamenteve përkatëse të fakultetit, nga aktet e konferencave shkencore te monografitë individuale, librat e tyre artistikë etj.
Dy tryeza të rrumbullakëta mbi përkthimin e letërsisë së huaj, sollën në auditorët tonë mjeshtrin e shqipërimeve të letërsisë franceze prof. Edmond Tupen dhe fituesen e çmimit të vitit, për veprën më të mirë të përkthyer, znj. Aida Baro.
Studentët e Klubit të dramës, si një tjetër shprehje e afinitetit për letërsinë dhe artet, në nder të 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit arbëresh, Anton Santori, erdhën me performancën dramatike të veprës së tij, Emira.
Festivali i krijimit letrar bashkoi shpirtin krijues të talenteve të reja në një komunikim artistik, si dëshmi dhe përvojë e kreativitetit të studentëve të Degës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe.
Studentët tanë së bashku me anëtarë të Klubit të Leximit, në pasditen e së martës, në mjediset e Bibliotekës “Hamit Beqja”, patën një bashkëbisedim me poeten dhe botuesen Rita Petro.
Kjo festë e librit, u konceptua si një ditë e ngjeshur aktivitetesh që i kushton vëmendje të posaçme studentëve, si aktorë kryesorë të saj, duke u krijuar atyre një tjetër hapësirë për të ripërtërirë në mënyrë të frytshme raportin me librin artistik dhe atë profesional. Me këtë synim, gjatë kësaj dite, në mjediset e brendshme e të jashtme të fakultetit, u mbajt Panairi i librit, me pjesëmarrjen e afro 30 enteve botuese, duke u mundësuar atyre pasurimin e mëtejshëm të bibliotekave.
Studentët e Degës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe bashkë me pedagogët e Departamentit të Letërsisë, iu përkushtuan Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, nën moton e UNESCO-s për 2019, sipas së cilës: “Librat frymojnë njerëzimin si një familje e tërë, duke ruajtur të kaluarën e përbashkët, si një histori dhe trashëgimi e vetme, për të thurur fatin tonë të përgjithshëm, përmes të cilit të gjithë zërat dëgjohen në korin e madh të aspiratës njerëzore.”