Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit mirëpret projektin Fakespotting Erasmus +


Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, organizoi në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë takimin e dytë ndërkombëtar të projektit Fakespoting Eramus+, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Projekti ka si partner lider Universitetin e Bolonjës, me një bashkëpunim të universiteteve dhe organizatave të fushës së gazetarisë nga Italia, Spanja, Sllovakia, Serbia, Maqedonia e veriut dhe sigurisht Shqipëria.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi, ndërsa mirëpriti përfaqësuesit e universiteteve nga Bashkimi Evropian dhe rajoni, theksoi rëndësinë që FHF dhe Universiteti i Tiranës në tërësi u japin projekteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare. “Për ne është kënaqësi që pas një periudhe të gjatë ndarjeje që pandemia Covid-19 na imponoi, të takohemi sërish ballë për ballë në projekte me interes të përbashkët. Jemi gati të mbështesim çdo nismë bashkëpunimi me interes dy e më shumë palësh ku përfitojnë studentët tanë. Përgëzoj Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit për këtë organizim” tha Prof. Laçi.

Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Prof. Asoc. Dr. Mark Marku, theksoi se në kohën që jetojmë, bashkëpunimi kundër fenomeneve si lajmet e rreme dhe dezinformomi, janë jetike për gazetarinë, rolin e gazetarit, mediat dhe shoqërinë në tërësi. “Angazhimi ynë në këtë projekt ndërkombëtar, vjen në vazhdën e studimeve dhe botimeve tona në vitet e fundit në tema si roli dhe rëndësia e gazetarëve, strukturat mediatike, përmbajtjet mediatike, zhvendosja e rëndësisë nga ekrani i madh drejt ekraneve të vegjël, ekonomia e medias etj, ku gjithmonë një rëndësi parësore i jepet të vërtetës në raportimet mediatike. Me punën tonë renditemi përkrah partnerëve prestigjozë në këtë fushë” tha Prof. Marku

Drejtuesi në detyrë i Fakespotting Erasmus +, Gabriele Giampieri nga Universiteti i Bolonjës, theksoi se është kënaqësi që takimi i dytë i kësaj nisme ndërkombëtare zhvillohet fizikisht në Tiranë, pasi takimi i parë ishte zhvilluar online për shkak të masave globale anti-covid. “Jemi të vendosur të kontribuojmë së bashku për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformimin, duke sjellë ide dhe mjete të reja, si produkte të punës sonë në këtë projekt 4 vjeçar” dhe Giampieri.

Fakespotting synon një bashkëpunim të gjerë mes partnerëve në luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformimit, një problem madhor në komunikimet publike në kohën që jetojmë.

Fakespotting do të zbatojë metoda krejt të reja për inovacionin në arsimin e lartë dhe fushën e arsimit të lartë, duke lejuar vendosjen e përmbajtjes origjinale të njohurive digjitale dhe informacionit, vlerësimeve dhe mjeteve që trajtojnë mospërputhjet e aftësive për të përgatitur studentët dhe të rriturit me njohuri të pakta për punë ku ekzistojnë dhe shfaqen mungesa.

Njohuritë e informacionit digjital lidhen drejtpërdrejt me punësimin e individit, për t’u angazhuar në punë dhe për të qëndruar në punë ose për të lëvizur në vendin e punës. PIAAC tregon se 20 deri në 25% të të rriturve evropianë të moshës 16 deri 65 vjeç me nivele të ulëta të aftësisë në njohuritë e informacionit digjital përballen me rrezik më të lartë të papunësisë dhe përjashtimit social.

Një nevojë e tërthortë në tregun digjital të punës është mbyllja e hendekut digjital gjinor. Në BE më pak se një në pesë profesionistë të TIK janë femra. Situatat kritike ndikojnë shumë edhe në pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve evropianë, pasi dijet digjitale lidhen plotësisht me aftësinë për të zbuluar dezinformimin.


Partnerët:

Alma Mater Studiorum – Universiteti i Bolonjës (Itali) (Koordinator)
Universiteti Lojola Andaluzi (Spanjë)
GLOBSEC (Sllovaki)
INCOMA – Agjencia Ndërkombëtare për Konsultime dhe Mobilitet (Spanjë)
Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad (Serbi)
Universiteti i Evropës Juglindore Tetovë (Maqedoni e Veriut)
Pagella Politica (Itali)
Universiteti “Mateja Bela” në Banská Bystrica (Sllovaki)
Universiteti i Tiranës (Shqipëri)
Universiteti “Mateja Bela” në Banská Bystrica (Sllovaki)
Universiteti i Tiranës (Shqipëri)


Faqja zyrtare e projektit: https://site.unibo.it/fakespotting-project/en

Faqja në Facebook: https://www.facebook.com/fakespotting

Faqja në Twitter: https://twitter.com/FakespottingEU

Faqja në Instagram https://www.instagram.com/fake.spotting/?igshid=1ku9cz3u5fenv

 


Shpërnda lajmin: