Fillojnë nga datat 1-12 Tetor 2018 aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë master

Fillojnë nga datat 1-12 Tetor 2018 aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë master me kohë të plotë, për të gjitha kategoritë e kandidatëve, pranë sekretarisë mësimore.

Brenda datës 22 tetor 2018, dhe brenda datës 29 tetor 2018 shpallen dhe afishohen listat e aplikantëve fitues në mjediset e fakultetit, si dhe në faqen web fhf.edu.al, të ndara sipas programeve të studimit përkatës, të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara.

Kandidatët kanë të drejtën e ankimit, brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Fakulteti shprehet me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave.

Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet pranë sekretarisë mësimore në datën 30 tetor 2018 dhe deri në datën 6.11.2018.

Fakulteti shpall në vende të dukshme dhe publikon në faqen e saj web, listën emërore të kandidatëve të regjistruar, brenda datës 1 nëntor 2018.

Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që:

– Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, ose

– Janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë MASR/QSHA, brenda muajit dhjetor 2018.

Kandidati paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.

b) Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA).

Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA) ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave;

c) Formulari i aplikimit (sipas formatit të shtojcës nr. 6);

d) Fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);

e) Dy fotografi personale.

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në Master i Shkencave:

Të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B!, sipas Vendimit nr.18, datë 13.07.2016, të Senatit Akademik të UT-së.

Kanë përparësi:

  • Studentët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të njëjta të Universiteteve Publike të akredituara.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta.
  • Studentë që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të Universiteteve private të akredituara.

Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në Master Profesional në Mësuesi:

Kanë përparësi:

  • Studentët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë njëjta në  Universitete Publike dhe Private të akredituara.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe të njëjta ose të përafërta, të akredituara.

Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në Master Profesional:

Kanë përparësi:

  • Studentët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  • Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë njëjta në Universitete Publike dhe Private të akredituara.
  • Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe të njëjta ose të përafërta, të akredituara.

Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:

a) Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri.

Shtetasit e huaj që aplikojnë, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse.

b) Curriculum Vitae;

c) Deklaratën sipas shtojcës nr. 5.

Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta:

a) Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).

b) Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.

c) Kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian.

Shpërnda lajmin: