Viti i ri akademik, dekani Sabri Laçi: Risi në programe, problem kërkimi shkencor

Intervista, e realizuar nga gazetarja Enida Vërça, është publikuar në gazetën “Shekulli”, më datë 14.10.2019


Sabri Laçi, dekani i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, thotë se viti i ri akademik ka nisur me ritme pozitive. Për raundin e fundit kanë mbetur më shumë kuotat në degën e Historisë. Rezultatet e Sondazhit Kombëtar nuk janë bindëse.

Kreu i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. dr. Sabri LAÇI, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, thotë se sfida kryesore e këtij institucioni në fillim të vitit të ri akademik 2019-2020 kanë qenë regjistrimet. Ai thotë se procesi ka ecur me ritme pozitive dhe krahasuar me një vit më parë, e vetmja degë që ka pësuar një ulje në regjistrime është ajo e Historisë. Në fjalën e tij Prof. Laçi thotë se kanë mbetur edhe 145 kuota të lira për raundin e fundit, duke shtuar se ndryshimi i mesatares nuk ka ndikuar ndjeshëm në pranimet në këtë fakultet, por në universitetet e rretheve, ku situata shfaqet serioze. Një tjetër pikë në të cilën ai ndalet, është Sondazhi Kombëtar i Studentëve, gjetjet e të cilit, sipas tij, nuk janë bindëse, sidomos sa i përket “pakënaqësisë” ndaj Universitetit të Tiranës. Me tej ai shton se problem vërtet i mprehtë mbetet kërkimi shkencor, ku investimet janë të pamjaftueshme. Ai bën me dije edhe risitë e këtij viti, me programe të reja master, si ai profesional në Sistemin e Informacionit Gjeografik të Aplikuar, si dhe një program master për Gazetarinë Investigative, me partneritet ndërkombëtar.

Z. Laçi, cilat janë sfidat e reja që e presin fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, këtë vit të ri akademik?

Sfida e parë e cila mbetet ende e hapur, janë pranimet. Ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë e deritanishme. Praktikisht ecuria ka qenë pozitive dhe ajo që është e rëndësishme të thuhet në këtë rast është se kontingjenti i studentëve që aplikojnë dhe që pranohen në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë janë me rezultatet të larta. Në degët e konsideruara si të mësuesisë kjo është tashmë kriter. Jemi të kënaqur me ritmet e regjistrimit. Në total janë plotësuar 78% e kuotave. Për raundin e fundit janë 145 kuota të lira, të cilat nuk janë të shpërndara në mënyrë uniforme: 91 kuota të lira janë për degën e Historisë. Gjuhë-Letërsia i ka plotësuar kuotat në masën 96,3%. Arkeologjia dhe Trashëgimia Kulturore i ka plotësuar në masën 93,7%. Gazetaria dhe Komunikimi në masën 92%. Gjeografia në masën 75%, ndërsa Historia rreth 50%.

Krahasuar më një vit më parë, si është numri i regjistrimeve?

Me përjashtim të degës Histori, e cila ka plotësuar gati gjysmën e kuotave, regjistrimet në degët e tjera janë sipas pritshmërisë dhe në përputhje me ritmet e viteve të shkuara. Historia ka pasur më pak regjistrime, pasi edhe konkurrenca është më e fortë. Studentët që vijnë në këtë degë, kanë zgjedhje të parë Juridikun apo Shkencat Sociale. Kontingjenti shumë i mirë shkon në ato degë studimi dhe më pas është Historia. Në këtë rast, ju bëj me dije se Historia dhe Gjeografia kanë kuota më të larta se degët e tjera. Gjithashtu, Historia ka konkurrencë edhe brenda fakultetit. Dega Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore, po bëhet gjithmonë e më atraktive, kjo lidhet edhe me vëmendjen që po merre Trashëgimia Kulturore, duke bërë që studentët të motivohen për ta përzgjedhur atë. Është një degë me perspektivë për punësim. Por, është edhe raundin e fundit, i cili do të zgjasë pesë ditë, duke krijuar mundësinë për aplikime të tjera. Kjo na jep shpresë dhe bindje se kuotat në disa degë do të plotësohen në masën 100%.

Sa i penalizuar ka qenë ky fakultet nga ndryshimi i mesatares?

Alarmi është për universitet e rretheve, për fakultetet e Edukimit, për degët e Mësuesisë në universitetet e rretheve situata është shqetësuese. Sipas burimeve mediatike, rrethe 87 degë studimi rrezikojnë të mbyllen, po ashtu edhe 5 fakultete. Të gjitha këto janë pasojë e mesatares shumë të lartë. Ne nuk kemi qenë dakord me një mesatare kaq të lartë dhe më kohën që u vendos. Sigurisht që e kemi artikuluar këtë si të padrejtë, si penalizim për maturantët që ishin në mbyllje të vitit të tretë. Po ashtu e kemi konsideruar si një rrezik potencial që çon në mbylljen e disa programeve dhe në fakt kjo po ndodh, por në universitete e tjera publike. Në Universitetin e Tiranës, gjithmonë ka pasur shumë studentë me mesatare mbi 7. Në fakultetin tonë, kontingjenti i studentëve ka qenë me rezultate shumë të mira dhe, në këtë pikë, nuk mund të themi që për ne ka krijuar problem ky ndryshim. Sigurisht, në përgjithësi, për maturantë që kanë dashur të aplikojnë në universitetet e rretheve, mesatarja 7,5 dhe koha kur u mor vendimi për ndryshimin e saj, ka krijuar problem.

A do të ketë risi në programe për këtë vit ky fakultet?

Përtëritja e programeve dhe hartimi i atyre të reja janë pjesë e rëndësishme e punës sonë dhe një prej sfidave gjatë këtij viti të ri akademik. Ne kemi hapur një master profesional 2-vjeçar në Sistemin e Informacionit Gjeografik të Aplikuar, që është një risi, pasi është i pari i këtij lloj në Shqipëri dhe në përputhje të plotë me kërkesat e tregut. Specialistët që dalin, pasi të kenë kryer këtë master, janë të orientuar në shumë fusha të ekonomisë, biznesit, të statistikave, pjesëmarrje aktive në planet e rregullimit të territorit, përdorimin e hapësirës, çështjet mjedisore etj., pra në një sërë fushash të rëndësishme dhe prioritare të zhvillimit të vendit. Specialistët që do të dalin nga ky master do të gjejnë mundësi punësimi pa diskutim. Ne kemi qenë të vonuar në këtë nismë, por mundësitë u krijuan falë një projekti të menaxhuar nga departamenti i Gjeografisë, i cili rezultoi i suksesshëm. Kurrikula si e tërë dhe silabuset janë konsultuar me ekspert ndërkombëtar dhe produkti ka qenë i preferuar. Po ashtu, Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit është duke punuar dhe do të mund të realizojë shpejt një program master në Gazetarinë Investigative, me partneritet ndërkombëtar. Ka nisur përgatitja e dokumentacionit, ndërkohë që financimi do të bëhet nga institucione ndërkombëtare. Mësimi do të zhvillohet nga stafi i jashtëm dhe i brendshëm dhe do të jetë një risi për vitin e ardhshëm. Është për studentët e gazetarisë të fakultetit tonë, por jo vetëm. Sigurisht që kuotat për këtë do të jenë të kufizuara, ndërkohë që nevojat janë të konsiderueshme dhe interesi do të jetë në rritje. Në planet e çdo njësie bazë është rishikimi i të gjitha programeve ekzistuese, si dhe hapja e programeve të reja, me partnerë vendës dhe të huaj, të cilat do të njihen nga vendet e universiteteve partnere dhe do të jenë në përshtatje me kërkesat e tregut të punës.

 Pak ditë më parë, u prezantua Sondazhit Kombëtar, 38% e studentëve shpreheshin të pakënaqur me stafin akademik. Sa e përfaqëson kjo shifër fakultetin tuaj?

Nuk vutë re paradokse të ky Sondazh? Ka shumë të pakënaqur me universitetin e Tiranës, ndërkohë që aplikimet dhe pranimet më të shumta i ka ky universitet! Ne nuk dimë saktësisht se si ka qenë pjesëmarrja e studentëve tanë në këtë sondazh. Gjithsesi, rezultatet e këtij sondazhi nuk bindin. Ato shifra nuk kanë të bëjnë fare me fakultetin tonë. Ju siguroj se nëse ju si gazetare do të bënit një sondazh për cilësitë e pedagogëve, shifrat do të jenë të tjera. Stafi i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë është i kualifikuar, profesional dhe në raporte shumë të mira me studentët, në të gjitha rastet dhe në të gjitha departamentet. Kjo shifër nuk e përfaqëson fakultetin tonë. Mua me vjen keq ta rithem se ky sondazh nuk bind.

A i keni marrë sugjerimet, apo porosit e para nga MASR në lidhje me gjetjet e Sondazhit?

Ne jemi të përgjegjshëm dhe vazhdimisht në kërkim të përsosjes. Besoj se nuk kemi pritur që dikush të vijë e të na thotë që të jemi të kujdesshëm në këtë apo atë pikë. Gjithmonë punojmë për të përmirësuar elementet që nuk janë në nivelin e dëshiruar. Jemi në proces përmirësimi të vazhdueshëm, kemi kërkesa të larta ndaj vetes, ndaj punës sonë, ndaj cilësisë së leksioneve, seminareve, modernizimit të vazhdueshëm të planeve mësimore, programeve. Çdo sugjerim nga jashtë, për ne është i mirëpritur, por ju sigurojmë që nuk presim që dikush të na flasë, pasi u dalim zot punëve tona, duke u përpjekur që të arrijmë më të mirën.

Një tjetër problem alarmant i referuar nga universitetet,  në takimin e fundit me kryetarin e kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka qenë kërkimi shkencor. Sa vazhdon të jetë prezent ky problem?

Sigurisht që vazhdon të jetë problem, shumë i madh madje. Si fakultet jemi munduar që të krijojmë më shumë mundësi për stafin dhe studentët, më shumë hapësira për t’u angazhuar në kërkimin shkencor, duke bërë përpjekjet maksimale për të përballuar një pjesë të shpenzimeve për punën e tyre kërkimore-shkencore, por kjo është shumë e sforcuar. Në buxhetin e fakultetit nuk ka një zë për kërkimin shkencor. Ky vazhdon të jetë një problem i madh. Me financimin e institucionit kemi mundësuar organizmin e konferencave në nivel departamentesh. Sigurisht, kemi bërë përpjekjet që pedagogët të mund të angazhohet në aktivitete ndërkombëtare të tipit konferenca, duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve nga institucioni. Praktikisht, çdo individ tek ne është i interesuar për kërkimin shkencor dhe një pjesë të të ardhurave personale e përdor për këtë qëllim, por pagat tona janë të ulëta e të pamjaftueshme për këtë. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të insistojmë që në buxhetin për arsimin e lartë të ketë një zë për kërkimin shkencor. Po t’u referohemi vendeve të rajonit, do të shikojmë që jemi të fundit në financimin e kërkimit shkencor. Të gjithë e dinë që kërkimi shkencor është i nevojshëm për zhvillimin e vendit, por deri më tani duket se institucioneve shtetërore ndjeshmëria e shtetarëve në këtë pikë vazhdon të mbetet e ulët dhe plotësisht e pamjaftueshme.

Cili është mesazhi Juaj për studentët në ditën e parë të vitit akademik?

Studentëve ju uroj mirëseardhjen e në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. I siguroj ata se kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se do të kenë vëmendjen maksimale të stafit akademik dhe të atij ndihmës gjatë gjithë periudhës së studimeve, me qëllim që të ndjehen mirë dhe të arrijnë pritshmëritë e tyre dhe të familjeve, për t’u bërë të aftë për t’i shërbyer vendit, kudo ku të ndodhen.

Suksese të gjithëve!

Shpërnda lajmin:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *