Viti i parë i Departamentit të Historisë gjatë ekspeditës mësimore

Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.

Studentët e vitit të parë të Departamentit të Historisë dhe të Filologjisë vizituan shpellën e Zezë, të njohur ndryshe edhe si shpella e Pëllumbasit. Kjo shpellë është cilësuar si një nga shpellat karstike dhe vendbanimet prehistorike më të rralla të Shqipërisë dhe është shpallur monument natyre në vitin 2002. Në vijim Studentët patënmundësi të njiheshin nga afër me stacionin romak rrugor Ad Quintium të rrugës antike Egnatia, një monument i rëndësishëm i shek. II-III pas Krishtit. Po ashtu, ata vizituan kalanë e Elbasanit dhe u njohën me fazat dhe teknikat e ndryshme tëndërtimit të saj si edhe me mënyrën e organizimit tëjetës urbane nëperiudhën e hershme bizantine dhe atë osmane. Mandej, studentet e ndalen ne bazilikën exta-muros në Elbasan, ndërtim i periudhës paleokristiane të shek. V, i tipit trinefesh me elemente arkitektonike, ku veçohet dyshemeja e shtruar me mozaikë. Në perëndim të qytetit të Elbasanit, studentet vizituan manastirin dhe kishën e Shën Joan Vladimirit, nën shoqërinë e pritjen bujare të atë Irine Geges. Kisha, monument kulture, është ndërtuar nga princi shqiptar Karl Topia në vitin 1381. Emri i këtij objekti lidhet me periudhën e shtrirjes së pushtimit bullgar në truallin shqiptar në vitet 851-1018 dhe me princin e Dioklese, Joan Vladimirin. Studentët udhëtuan drejt qytetit-muze të Beratit, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s që në vitin 2008. Studentët njohën nga afër gjurmët e rrugëtimit historik të qytetit nga Antipatrea e Pulkeropolis në Belegrada e Berat. Gjithashtu, ata erdhën në kontakt me trashëgiminë kulturore të qytetit si edhe me veprat e artit bizantin dhe pasbizantin të Muzeut Ikonografik “Onufri”.

Në vazhdim të ekspeditave vizituan Kalanë e Bashtovës, e cila konsiderohet si e vetmja kala fushore në Shqipëri. Ata gjatë vizitës njohën me detaje mbi historinë e kalasë, fazat e saj të ndërtimit dhe tiparet kryesore të këtij monumenti historik me rëndësi të veçantë për zonën bregdetare, të pozicionuar mes Dyrrahut dhe Apolonisë, në grykëderdhjen e Shkumbinit. Vizitat vazhduan në qytetin mesjetar të Krujës, një qytet me rëndësi të madhe si qendra e shtetit të Skënderbeut që i bëri ballë katër rrethimeve osmane duke u shndërruar në simbol të rezistencës shqiptare ndaj pushtimit osman. Vizita e parë u zhvillua në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku studentët u njohën më hollësisht me rezistencën heroike të shqiptarëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti. Më pas studentët vizituan Muzeun Etnografik, të vendosur në një banesë karakteristike të shekullit të XVIII, në të cilin janë ekspozuar qindra objekte të kulturës materiale si vegla pune, objekte shtëpiake, armë, mobilje etj. Më pas vizita vazhdoi në tregun karakteristik të Krujës . Në përfundim studentët vizituan dy qendra të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit tonë: Apoloninë dhe Ardenicën. Fillimisht, studentet vizituan qytetin antik të Apollonisë, themeluar në shek. VI para Krishtit nga kolonë të ardhur nga Kerkyra dhe Korinthi. Ata u njohën me rëndësinë që kishte qyteti i Apollonisë në të gjithë botën Mesdhetare gjatë Antikitetit, me qytetin që Straboni e karakterizonte si “fort mirë të qeverisur” dhe që Aristoteli e lëvdonte si shembull i sistemit oligarkik. Ata panë nga afër gjurmët diakronike të Apolonisë, e cila përmendet edhe gjatë periudhës bizantine nga Konstandin Porfirogjeneti si pjesë e Themës së Durrësit. Më pas, studentët vizituan manastirin bizantin të Shën Marisë në Apoloni, një nga shembujt më të arritur të manastireve bizantine dhe të vetmin rast të modelit Kostandinopolitan në vendin tonë, ndërtuar në shek. XIII. Ndër të tjera, ata panë nga afër fragmentin e pikturës murale të kishës, ku paraqitet familja perandorake e Mihalit III Paleologut së bashku me të birin, Andronikun II, që përbën pikturën e vetme murale të tyre në artin bizantin.Në vazhdim, studentët vizituan Manastirin e Ardenicës me interes jo vetëm për vlerat e tij religjioze, monumentale, arkitekturore dhe artistike, por edhe për historinë e pasur që mbart me vete. Ata u njohën me burimet historike që bëjnë fjalë për kohën e themelimit të tij gjatë Despotatit të Epirit, në shek. XIII – XIV, si edhe me gojëdhënat që e identifikojnë atë si vendin, ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në vitin 1451.

Manastiri i Ardenicës përfaqëson një ansambël arkitekturor me në qendër kishën “Lindja e Shën Mërisë”, pikturuar nga Kostandin dhe Athanas Zografi në vitin 1744. Kisha shquhet për veprat mahnitëse të artit të drugdhendjes, siç është ikonostasi i saj i praruar e i pajisur me ikona të punuara më 1744 nga Kostandin Shpataraku. Po ashtu, studentët u njohën me veprimtaritë sociale dhe kulturore që manastiri ka luajtur përgjatë gjithë sundimit osman, duke e mbështetur popullin në sfidat e kohërave. Së fundmi, studentët u njohën me veprimtarinë arsimore që zhvillonte manastiri dhe me bibliotekën e tij të pasur, që dikur numëronte rreth 32.000 tituj të dorëshkruar e të shtypshkruar.

Viti I Dita 6-3
« 1 of 18 »
Shpërnda lajmin: