Viti i dytë i Departamentit të Historisë gjatë ekspeditës mësimore

Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.

Studentët e vitit të dytë të Departamentit të Historisë të UT-së patën si destinacion qytetin e Korçës dhe fshatin e Pezës.Në Korçë studentët vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Përmes një koleksion ikonash dhe objektesh arti nga më të mirat e kultit ortodoks, të krijuara nga periudha bizantine dhe pabizantine prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit, patën mundësi të njiheshin me momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë në hapësirën shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre, si Onufri, Onufër Qiprioti, Kostandin Jeromonaku, Kostandin Shpataraku, David Selenica, vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi etj.Në vijim, studentët vizituan Muzeun Kombëtar të Arsimit, që strehohet në ndërtesën 150-vjeçare të shkollës së parë shqipe, të hapur më 7 mars 1887. Në ambientet e muzeut studentët erdhën në kontakt me lëndë dokumentare nga historia e shkrimit shqip dhe botime të vjetra në gjuhën shqipe. Studentët vizituan shtëpinë muze, ku u mbajt më 1942 Konferenca e Pezës, e cila kishte si qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Në vazhdim studentët vizituan qytetin e Vlorës. Fillimisht studentët vizituan kishën e Shën Mërisë së Manastirit të Zvërnecit e cila  mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. Më pas studentët vizituan Sheshin e Flamurit, vendin ku u shpall pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912. Po në atë shesh historik prehet edhe ideatori dhe zbatuesi kryesor i idesë së pavarësisë shqiptare, Ismail Qemali.

Më pas vizitat u shtrinë në dy qendrat kryesore të veriut të Shqipërisë në qyetin e Lezhës dhe në qytetin e Shkodrës. Në Lezhë studentët vizituan Memorialin  e heroit kombëtar që shtrihet në zemër të qytetit antik të Lissusit. Memoriali i Skenderbeut është vendi historik ku evidentohen dy nga ngjarjet më të mëdha të historisë shqiptare : mbajtjen e Kuvendit të Lezhës me 2 mars 1444 ose siç njihet me emrin Besëlidhja e Lezhës, ku Gjergj Kastrioti bashkoi princat shqiptarë në luftë kundër pushtimit osman dhe, së dyti Vendin e Varrimit të Skënderbeut, i cili vdiq në Lezhë më 17 Janar 1468 në moshën 63-vjecare.

Më pas vizita vazhdoi në Kalanë e Rozafës, e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”. Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët, herë nga bizantinët si edhe nga venecianët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj. Kalaja e Shkodrës, me muret dhe kullat e saj të fuqishme, arriti të përballojë dy rrethime të gjata dhe bombardime me artileri të turqve në vitin 1474 dhe 1478-79. Më pas studentët vizituan koleksionin e famshëm të fotografive në Muzeun Marubi, një nga muzetë më interesantë në Shqipëri, ku krahas personazheve të historisë, pasqyrohen edhe elementë të rëndësishëm të kostumeve, zakoneve dhe traditave shqiptare.

Gjithashtu, studentët udhëtuan drejt qytetit historik të Durrësit, ndër qytetet më të mëdhenj të Mesdheut antik dhe mesjetar, ku jetohet pa ndërprerje për gati 3000 vjet. Ata vizituan, së pari, Amfiteatrin e Durrësit, vëzhguan transformimet e tij pas dekretit të Theodhosit, lëshuar më 391 për mbylljen e të gjitha qendrave pagane dhe, më tej, braktisjen e tij në fund të shek. IV. Për më tepër, u njohën me një nga ndërtimet e para dhe shumë interesante të periudhës së krishterimit të hershëm, kapelën paleokristiane bizantine, e cila vijoi të funksiononte, sipas burimeve historike, deri në shek. XIII.

Studentët panë nga afër mozaikët e mrekullueshëm muralë të kapelës të shek. VI. Më pas, studentët vizituan muret e kalasë së Durrësit, të ndërtuara nga perandori bizantin Anastasi I me origjinë nga Durrësi, pas dëmtimit që shkaktoi tërmeti i vitit 345. Në kohën e perandorit Anastasi I (491-519) dhe Justianani I [527-565), qyteti pësoi transformime të ndjeshme në strukturën urbane duke marrë tiparet e një qyteti tipik bizantin. Së fundmi, studentët vizituan Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe u njohën me dëshmitë arkeologjike nga periudha prehistorike, arkaike, klasike e romake.

Viti II Dita 1-2
« 2 of 21 »
Shpërnda lajmin: