Studentët e FHF vetëpërfaqësohen në konkurs ndërkombëtar projektesh të punësimit të gjelbër


Organizata Botërore e Frankofonisë organizoi në datat 3-5 tetor 2019 në Gjakovë edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar “Rinia për Punësimin e Gjelbër” (FIJEV). Qëllimi i këtij forumi ishte promovimi i vendeve të gjelbërta të punës në dobi të të rinjve për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm. Shumë të rinj aplikuan online me projektet e tyre mjedisore dhe vetëm një pjesë e tyre fituan të drejtën t’i paraqesin ato në takimin final përpara një komisioni ndërkombëtar ekspertësh. Në përfundim, më shumë se 50 drejtues të rinj të projekteve nga Armenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia punuan me njeri-tjetrin në Gjakovë për të përmirësuar idetë e tyre të gjatë 3 ditëve radhazi. Shkëmbimet e ideve dhe përvojave, trajnimet, aftësimet, debatet ishin në axhendë gjatë këtij takimi. Mes të rinjve finalistë të aktivitetit ishin edhe studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjeografi, Fatjona Langa,Klisman Shegani dhe Klevis Turka. Studentët punuan në bashkëpunim me pedagogët frankofonë të këtij departamenti dhe projektet që ata paraqitën kishin lidhje me riciklimin  e mbetjeve plastike të rekuperuara nga pastrimi i plazheve sipas metodës DeFishGear dhe me riciklimin strukturor të letrës në Universitete. Projektet e tyre u vlerësuan si shumë të mira dhe që garantojnë vetëpunësim të gjelbër.

Shpërnda lajmin: