Përshëndetja e Dekanit të FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI në Ceremoninë e Diplomimit të studentëve

Të nderuar deputetë të Kuvendit të RSH-së, Prof. Rrokaj dhe Prof. Duka,
I nderuar z. Taulant Muka, Zv/Ministër i Arsimit, Sporteve dhe Rinisë,
Të nderuar autoritete drejtuese të Universitetit të Tiranës,
E nderuar Drejtore e Bibliotekës Kombëtare, Prof. Persida Asllani,
Të dashur kolegë, pedagogë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë,
Të dashur studentë të sapo diplomuar,

Kam kënaqësinë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë festë të bukur të diplomimit të studentëve të FHF-së.
Ne pedagogët, sa herë që mblidhemi në ceremoni të tilla, ndjehemi krenar për profesionin që kemi zgjedhur: përgatitjen e gjeneratave të profesionistëve dhe shkencëtarëve, që do të angazhohen në misionin e vështirë, por të nderuar, të edukimit, kërkimit dhe përhapjes së dijes shkencore në fusha të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe më gjerë.

Të dashur të diplomuar,
Më lejoni të shpreh besimin dhe optimizmin tim dhe të stafit akademik të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë për një të ardhme më të mirë për ju. Të gjithë ne jemi të bindur në vlerat tuaja morale, në etjen tuaj për dije dhe vullnetin tuaj për të studiuar, në këmbënguljen tuaj për të ecur përpara, duke ndjekur modelet e personaliteteve të shquara, që kanë studiuar dhe punuar në këtë fakultet. Historia, gjeografia, gjuha, letërsia, gazetaria dhe komunikimi, arkeologjia dhe trashëgimia kulturore, përveç se programe studimesh, janë fusha të gjera e të pashtershme kërkimi, me rëndësi kombëtare të veçantë.
Siç keni fituar sfidën e shkollimit dhe të diplomimit në Universitetin e Tiranës, më i miri ndër Institucionet e Arsimit të Lartë në Hapësirë Shqiptare, ju do të fitoni të gjitha sfidat e tjera në jetë, duke pasur besim tek vetvetja, të afërmit dhe bashkëpunëtorët tuaj, duke mos reshtur së studiuari, duke ndjekur ëndrrën, duke ecur me hapin e kohës, duke guxuar.
Të gjithë ne i kemi sytë dhe shpresat tek ju, sepse besojmë në angazhimin tuaj për një të ardhme më të mirë për ju, për familjet tuaja, për atdheun tonë të shtrenjtë, për kombin tonë.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i UT-së do t’i mbajë dyert të hapura për ju. Stafet akademike dhe ato ndihmëse do të jenë kurdoherë të gatshëm e të përkushtuar për t’ju ofruar gjithçka që do t’ju nevojitet për të punuar dhe bashkëpunuar në kuadër të projekteve dhe të veprimtarive shkencore, për të thelluar e zgjeruar dijet dhe për të ngjitur shkallët e karrierës profesionale dhe akademike. Jeni dhe do të jeni kurdoherë të mirëpritur.

T’i gëzoni diplomat, të cilat i keni merituar plotësisht!
Suksese!
Prof. dr. Sabri LAÇI

Shpërnda lajmin: