Për mbledhjen e të ardhurave nga tarifat e shkollimit për vitin akademik 2018-2019

Njoftohen të gjithë studentët se në vijim të njoftimit administrativ nr. 195, datë 18.02.2019, për të realizuar procesin e arkëtimit të të ardhurave nga tarifat e shkollimit për vitin akademik 2018-2019, të ndjekin hapat e mëposhtme:

– Bazuar në VKM nr.778, datë 26.12.2018, për një ndryshim dhe shtesë në Vendimin nr.288, data 21.05.2018 “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”, të ndryshuar, Studentët e Ciklit të Parë (Bachelor) do të paguajnë 50% të tarifës, pra 15,000 lekë.

– Studentët e Ciklit të Parë (Bachelor) të cilët i përkasin kategorive përjashtimore dhe janë me mesatare 910, sipas VKM nr. 779, datë 26.12.2018 “Për disa ndryshime në Vendimin nr.269, datë 29.03.2017 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, që përjashtohen nga tarifat e shkollimit”, të ndryshuar, nuk do të kryejnë asnjë pagesë për tarifën e shkollimit të vitit akademik 2018-2019.

– Studentët e Ciklit të Dytë të studimeve (Master Profesional dhe Master Shkencor) që i përkasin kategorive sociale në nevojë dhe janë me mesatare 9-10, të cilët përfitojnë 50 % ulje të tarifës së shkollimit do të paguajnë 30,000 lekë për studentët e Masterit Profesional dhe 37,500 lekë për studentët e Masterit Shkencor, sipas VKM nr. 780, datë 26.12.2018 “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret për ulje të tarifës vjetore të studimit në programet e ciklit të dytë të studimeve, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë”.

-Studentët e Ciklit të dytë të studimeve (Master Profesional dhe Master Shkencor) të cilët nuk bëjnë pjesë në kategoritë e studentëve që përfitojnë ulje të tarifës, sipas VKM nr. 780, datë 26.12.2018 “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret për ulje të tarifës vjetore të studimit në programet e ciklit të dytë të studimeve, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë”, do të paguajnë tarifën e shkollimit për vitin akademik 2018-2019: 60,000 lekë për studentët e Masterit Profesional dhe 75,000 lekë për studentët e Masterit Shkencor.

– Studentët duhet të pajisen paraprakisht me faturën e arkëtimit, sipas Urdhrit Nr. 95, datë 11.11.2009 të Ministrisë së Financave, e cila pasi nënshkruhet nga Institucioni një kopje i dorëzohet studentit nga Punonjësja e Informacionit për të kryer veprimet në Alpha Bank. Paraqitja e faturës tatimore është kusht i domosdoshëm për veprimet në bankat e nivelit të dytë. Pas pagesës studentët e dorëzojnë kopjen e mandatit tek Punonjësja e Informacionit, e cila kryen më tej veprimet e dorëzimit në Degën e Financës.

– Afati i kryerjes së këtij procesi do të jetë deri në përfundim të vitit akademik 2018-2019, sipas strukturës së përcaktuar nga MASR.

Shpërnda lajmin: