<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2018 <<
Dekanati i Fakultetit të Historise dhe Filologjisë në bashkëpunim me Departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve Universitare, në datë 12.06.2019 organizuan aktivitetin sportiv-argëtues me temë " Një ditë ndryshe në jetën studentore". Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 400 studentë të fakultetit dhe u organizuan dy veprimtari sportive.- Kupa e volejbollit- djem-vajza;- Kupa e minifutbollit- djem.Në përfundim të këtyre dy sporteve vëndin e parë në volejboll u rendit Ekipi i Gjeografisë, ndërsa në minifutboll u rendit në vendin e parë ekipi i Historisë. Mbas këtyre dy aktiviteteve u organizua edhe një party, ku gjithë studentët pjesëmarrës u argëtuan me valle, kërcim dhe këngë të ndryshme nga të gjithë trevat e Shqipërisë. Në përfundim të aktivitetit mendimi i të gjithë studentëve ishte ne kishim nevojë për një aktivitet të tillë dhe shprehën gadishmërinë për organizimin dhe në të ardhmen të aktiviteteve të tilla, që e bëjnë jetën e tyre më të pasur.
Sot më 15.05. 2019, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, studentët e Gjuhë-letërsisë, viti i tretë, patën rastin të ndiqnin ligjëratën e mbajtur nga Z. Blendi Fevziu, me temë “Diskursi publik dje (në komunizëm) dhe sot (pas komunizmit)”. Ky takim u organizua nga pedagogia e Departamentit të Gjuhësisë, Dr. Elsa Rakipllari dhe nën kujdesin e veçantë të Dekanit të Fakultetit, Prof. Dr. Sabri Laçi.
Zoti Fevziu, si një prej zërave të përveçëm të diskursit publik shqiptar, solli në auditor këndvështrimin e tij profesional dhe intelektual për diskursin, ideologjinë dhe të shkuarën komuniste në përqasje me tiparet e diskursit publik sot. Ai ndau me studentët përvojat e tij profesionale dhe jetësore dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre të shumta rreth temës së trajtuar.
Takimet si ky i sotmi shërbejnë për t’i pasuruar aspektet teorike të lëndëve që zhvillohen në auditore, duke i ndërthuar ato me aspekte praktike dhe konkrete, si dhe me qasjet e personaliteteve të spikatura në fusha të ndryshme.
Në datat 15-20 prill 2019, një grup studentësh dhe pedagogësh nga Departamentet e Historisë dhe të Arkeologjisë e Trashëgimisë Kulturore të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilluan ekspeditë mësimore në Universitetin Kombëtar Kapodistria të Athinës. Vizita u zhvillua në kuadrin e bashkëpunimit mes Fakultetit dhe Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë dhe u realizua me mbështet e ambasadores fuqiplotë, znj. Eleni Surani dhe kujdesin e z. Konstandinos Kyriou.
Më 27 shkurt 2019, në aulën Konrad Adenauer të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë u bë promovimi i Fjalorit "Ballkan Dillerindeki Ortak Türkizmalar Sözlüğü"/ "Turqizmat e përbashkëta nĕ gjuhët e Ballkanit" me autor, pedagogen e Departamentit të gjuhës shqipe, Prof.asoc. Lindita Xhanari. Të pranishëm në kë të aktivitet ishin Dekani i fakultetit Prof.dr. Sabri Laçi, zv. Ambasadori i Turqisë në Tiranë z. Hakan Cengiz, Kryetari i Türk Dil Kurumu nga Ankaraja Prof.dr. Gürer Gülsevin, editori i fjalorit nga Universiteti i Pamukkalesë Prof.dr. Turgut Tok, pedagogë, studiues dhe studentë. Ky fjalor, i shkruar në turqisht, pasi ka marrë vlerësimin pozitiv të gjykatësve shkencorë dhe aprovimin e senatit, është botuar në Turqi nga Universiteti i Pamukkalesë. Fjalori ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në 8 (tetë) gjuhë të Ballkanit: në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht. Në fjalën e tyre Prof.dr. Shezai Rrokaj dhe Prof.dr Dhimitri Bello vunë theksin në vlerat e fjalorit dhe rëndësinë që ka ai për studime të mëtejshme. Akademikët nga Turqia u shprehën për vlerat e fjalorit në arealin ballkanik, si dhe për nevojën e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët shkencor. Gjithashtu Kryetari i Türk Dil Kurumu Prof.dr. Gürer Gülsevin dhe përfaqësuesi i Universitetit të Pamukkalesë Prof.dr. Turgut Tok u pritën nga Dekani i fakultetit Prof.dr. Sabri Laçi. Gjatë takimit u bisedua mbi mundësinë e organizimit të projekteve të përbashkëta afatshkurtër e afatgjatë për fushat e studimit që mbulojnë departamentet e fakultetit tonë.