<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2018 <<
Organizata Botërore e Frankofonisë organizoi në datat 3-5 tetor 2019 në Gjakovë edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar “Rinia për Punësimin e Gjelbër” (FIJEV). Qëllimi i këtij forumi ishte promovimi i vendeve të gjelbërta të punës në dobi të të rinjve për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm. Shumë të rinj aplikuan online me projektet e tyre mjedisore dhe vetëm një pjesë e tyre fituan të drejtën t’i paraqesin ato në takimin final përpara një komisioni ndërkombëtar ekspertësh. Në përfundim, më shumë se 50 drejtues të rinj të projekteve nga Armenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia punuan me njeri-tjetrin në Gjakovë për të përmirësuar idetë e tyre të gjatë 3 ditëve radhazi. Shkëmbimet e ideve dhe përvojave, trajnimet, aftësimet, debatet ishin në axhendë gjatë këtij takimi. Mes të rinjve finalistë të aktivitetit ishin edhe studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjeografi, Fatjona Langa,Klisman Shegani dhe Klevis Turka. Studentët punuan në bashkëpunim me pedagogët frankofonë të këtij departamenti dhe projektet që ata paraqitën kishin lidhje me riciklimin e mbetjeve plastike të rekuperuara nga pastrimi i plazheve sipas metodës DeFishGear dhe me riciklimin strukturor të letrës në Universitete. Projektet e tyre u vlerësuan si shumë të mira dhe që garantojnë vetëpunësim të gjelbër.
Departamenti i Gjeografisë i Universitetit të Tiranës priti një grup të madh të stdentëve të Gjeografisë të Universitetit të Utrehtit (Holandë), të cilët zhvilluan një ekspeditë njohëse studimore rajonale duke përfshirë Bosnjë-Hercegovinën Kosovën dhe Shqipërinë.
Qëllimi i vizitës së tyre ishte njohja me realitetet mjedisore, demografike, dhe urbane të rajonit. Departamenti i Gjeografisë UT u ofroi atyre leksione të shkurtra të fokusuara në njohuritë për Shqipërinë në tematikat e mësipërme në fokus të interesit të tyre studimor. Në vijim të ditës së tyre në Tiranë u organizua një tour nëpër qytet. Kjo vizitë shërbeu edhe për identifikimin e bashkëpunimit midis studentëve të degës së Gjeografisë të të dy Universiteteve.
Në datat 15-20 prill 2019, një grup studentësh dhe pedagogësh nga Departamentet e Historisë dhe të Arkeologjisë e Trashëgimisë Kulturore të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilluan ekspeditë mësimore në Universitetin Kombëtar Kapodistria të Athinës. Vizita u zhvillua në kuadrin e bashkëpunimit mes Fakultetit dhe Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë dhe u realizua me mbështet e ambasadores fuqiplotë, znj. Eleni Surani dhe kujdesin e z. Konstandinos Kyriou.