Në datën 09.12.2019, në mjediset e “Europe House” të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, u bë prezantimi i projektit studentor “Media dhe Integrimi Evropian”.
Ky projekt është realizuar nga një grup studentësh të Departmanetit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në UT, të cilët janë aktivistë dhe bashkëpunëtorë të ABC Tirana Club.
Projekti kishte tre produkte kryesore:
-realizimin e një SONDAZHI me 500 studentë, nga pesë degët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në të dy nivelet e studimit, Bachelor dhe Master, për vlerësimet dhe perceptimet e tyre, mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë;
-ndërtimin e një EKSPOZITE PAMORE, ku evidentohej roli dhe kontributi i medias shqiptare në informimin dhe edukimin e publikut përgjatë fazave kryesore të ecurisë së procesit të integrimit të vendit tonë;
-organizimin e një FORUMI studentor në mjediset e ekspozitës për të diskutuar mbi gjetjet e sondazhit dhe pozicionin e angazhimin e tyre në dinamikat integruese.
“ABC Tirana Club është një grupim proevropianist dhe synimi për veprimtari të tilla është që të mbahet ndezuar monitorimi dhe vlerësimi i procesit të integrimit evropian në rradhët e të rinjve shqiptarë” – u shpreh Johan Muka, njëri prej organizatorëve. “Duke e konsideruar këtë si një përpjekje konkrete në fluksin e madh të kontributit që bëjnë institucionet publike, shoqëria civile, grupime dhe individë, por dhe nga faktorë e aktorë ndërkombëtarë, qeveri, organizata, struktura lobuese etj”, tha ai.
Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, prof. Mark Marku ka bërë vlerësime për projektin e studentëve të tij.
“Ky debat na ndihmon që të kuptojmë më mirë procesin e integrimit evropian, që publiku dhe sidomos studentët të mos i marrin njohuritë përcipatzi, por të bëhen të vetëdijshëm për detyrimet dhe përfitimet reale që anëtarësimi i vendit në BE. Vetëm me gjykim kritik qytetarët përballojnë sfidat, qofshin ato positive apo ato negative që shoqërojnë procesin” –tha prof. Marku.
Në mjediset ku u zhvillua Forumi Studentor ishte ndërtuar një ekspozitë pamore me mbulimin mediatik të tre momenteve kryesore të integrimit evropian: vendimi i Brukselit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të BE-së në vitin 2010; në kohën e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në vitin 2014; si dhe zhvillimeve në fund të tetorit 2019, kur Këshilli Evropian nuk arriti të marrë një vendim mbi hapjen e negociatave për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut fqinje.
Projekti u mbështet nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe nga Qendra studentore ABC Tirana Club.
Disa nga gjetjet e sondazhit
-Bazuar në të dhënat e sondazhit, pyetjes se, “Sa dëshironi që Shqipëria të jetë vend anëtar i BE-së?”, 66% e studentëve iu përgjigjën “shumë”. Pjesa tjetër pohoi: “disi” 18%; “pak” 9%; “aspak” 2% dhe 5% nuk preferuan të përgjigjen.
-Studentët u treguan dyshues se brenda vitit 2020 do të hapen negociatat e Shqipërisë me BE-në. 40% e tyre thanë se kishte pak shpresa për një gjë të tillë, 8% nuk kishin fare besim, kurse 13% ishin të lëkundur, ndërkohë që 5% nuk u përgjigjën fare.
-Gjermania për studentët shikohet si partneri më i ngushtë që duhet të ketë Shqipëria. 33% e tyre kishte këtë preferencë për pyetjen: “Me cilin vend anëtar të BE-së Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie më të ngushta?”. Më pas ishin Italia dhe Greqia, dy vende fqinje, me përkatësisht 7% dhe 3% dhe Franca po me 3%.
-Për pengesat dhe ngadalësimin e procesit të integrimit, shumica e studentëve, ose 43% e tyre pranuan si shkak kryesor “Performancën e papërshtatshme politike”. Më pas renditeshin “Niveli i lartë i korrupsionit” me 32%; “Niveli i lartë i krimit të organizuar” dhe “Performanca e papërshtatshme e administratës publike” me kuotë të barabartë përgjigjesh, 12%.
-Një pyetje tjetër në sondazhin me studentët e Fakuktetit të Histori dhe Filologjisë ishte se, “Cili është problemi më shqetësues në vendin tonë?”. 25%, zgjodhën “varfëria”, më pas renditeshin “keqfunksionimi i shtetit ligjor” me 23%, “korrupsioni” 19%, “papunësia” 18%, “krimi i organizuar” 7% dhe “krimi ordiner” 4%.
-Në lidhje me pritmëritë që studentët kanë për zbatimin e procesit të Vetting-ut, ra në sy numri i lartë i studentëve me përgjigjen “nuk e di”, 26%. Më optimistët ishin 31%, ndërkohë ata që kishin pritmëri të ulët ishin 27%.
-Gjatë forumit studentor diskutimet e pjesmarrësve u fokusuan jo vetëm në gjetjet e sondazhit dhe problematikat e procesit të integrimit, por dhe në rolin dhe kontributin e medias në fazat kryesore të tij.