<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2018 <<
Sot më 15.05. 2019, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, studentët e Gjuhë-letërsisë, viti i tretë, patën rastin të ndiqnin ligjëratën e mbajtur nga Z. Blendi Fevziu, me temë “Diskursi publik dje (në komunizëm) dhe sot (pas komunizmit)”. Ky takim u organizua nga pedagogia e Departamentit të Gjuhësisë, Dr. Elsa Rakipllari dhe nën kujdesin e veçantë të Dekanit të Fakultetit, Prof. Dr. Sabri Laçi.
Zoti Fevziu, si një prej zërave të përveçëm të diskursit publik shqiptar, solli në auditor këndvështrimin e tij profesional dhe intelektual për diskursin, ideologjinë dhe të shkuarën komuniste në përqasje me tiparet e diskursit publik sot. Ai ndau me studentët përvojat e tij profesionale dhe jetësore dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre të shumta rreth temës së trajtuar.
Takimet si ky i sotmi shërbejnë për t’i pasuruar aspektet teorike të lëndëve që zhvillohen në auditore, duke i ndërthuar ato me aspekte praktike dhe konkrete, si dhe me qasjet e personaliteteve të spikatura në fusha të ndryshme.
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit në mjediset e sallës “Konrad Adenauer” të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gjeografisë promovoi 3 libra të botuar gjatë vitit 2018. Librat janë dy tekste mësimore për studentët e programit të studimit Master Profesional “GIS i aplikuar” me autorë përkatësisht Prof. Dr. Pal Nikolli dhe Prof.as.dr. Sonila Papathimiu, si edhe një punim doktorature i Dr. Orjana Hanxhari.
Këto botime vijnë si kontribute të rëndësishme në pasurimin e fondit didaktiko-shkencor të Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Këto botime u vlerësuan shumë dhe u pritën me mjaft interes nga kolegët e Departamentit, por edhe më gjerë, si edhe nga studentët e nivelit Bachelor dhe Master. Departamenti i Gjeografisë i falenderon autorët për punën e tyre dhe u uron suksese të mëtejshme në punën e tyre didaktike dhe kërkimore.
Në datat 15-20 prill 2019, një grup studentësh dhe pedagogësh nga Departamentet e Historisë dhe të Arkeologjisë e Trashëgimisë Kulturore të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilluan ekspeditë mësimore në Universitetin Kombëtar Kapodistria të Athinës. Vizita u zhvillua në kuadrin e bashkëpunimit mes Fakultetit dhe Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë dhe u realizua me mbështet e ambasadores fuqiplotë, znj. Eleni Surani dhe kujdesin e z. Konstandinos Kyriou.