<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2018 <<
Dekanati i Fakultetit të Historise dhe Filologjisë në bashkëpunim me Departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve Universitare, në datë 12.06.2019 organizuan aktivitetin sportiv-argëtues me temë " Një ditë ndryshe në jetën studentore". Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 400 studentë të fakultetit dhe u organizuan dy veprimtari sportive.- Kupa e volejbollit- djem-vajza;- Kupa e minifutbollit- djem.Në përfundim të këtyre dy sporteve vëndin e parë në volejboll u rendit Ekipi i Gjeografisë, ndërsa në minifutboll u rendit në vendin e parë ekipi i Historisë. Mbas këtyre dy aktiviteteve u organizua edhe një party, ku gjithë studentët pjesëmarrës u argëtuan me valle, kërcim dhe këngë të ndryshme nga të gjithë trevat e Shqipërisë. Në përfundim të aktivitetit mendimi i të gjithë studentëve ishte ne kishim nevojë për një aktivitet të tillë dhe shprehën gadishmërinë për organizimin dhe në të ardhmen të aktiviteteve të tilla, që e bëjnë jetën e tyre më të pasur.
Në 22 maj 2019, një delegacion nga Gjermania i përbërë nga historianë, studiues , gazetarë dhe drejtues muzesh, zhvilloi një vizitë në Departamentin e Historisë. Në krye të delegacionit ishte drejtuesja e Fondacionit Federal për studimin e diktaturës komuniste në ish- Gjermaninë Lindore, znj. Anna Kaminsky. Në takim u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta si dhe mbi çështje që lidhen me trajtimin e periudhës totalitare në Shqipëri nga ana e studiuesve shqiptarë.
Sot më 15.05. 2019, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, studentët e Gjuhë-letërsisë, viti i tretë, patën rastin të ndiqnin ligjëratën e mbajtur nga Z. Blendi Fevziu, me temë “Diskursi publik dje (në komunizëm) dhe sot (pas komunizmit)”. Ky takim u organizua nga pedagogia e Departamentit të Gjuhësisë, Dr. Elsa Rakipllari dhe nën kujdesin e veçantë të Dekanit të Fakultetit, Prof. Dr. Sabri Laçi.
Zoti Fevziu, si një prej zërave të përveçëm të diskursit publik shqiptar, solli në auditor këndvështrimin e tij profesional dhe intelektual për diskursin, ideologjinë dhe të shkuarën komuniste në përqasje me tiparet e diskursit publik sot. Ai ndau me studentët përvojat e tij profesionale dhe jetësore dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre të shumta rreth temës së trajtuar.
Takimet si ky i sotmi shërbejnë për t’i pasuruar aspektet teorike të lëndëve që zhvillohen në auditore, duke i ndërthuar ato me aspekte praktike dhe konkrete, si dhe me qasjet e personaliteteve të spikatura në fusha të ndryshme.