Ekspeditë mësimore në Athinë

Në datat 15-20 prill 2019, një grup studentësh dhe pedagogësh nga Departamentet e Historisë dhe të Arkeologjisë e Trashëgimisë Kulturore të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilluan ekspeditë mësimore në Universitetin Kombëtar Kapodistria të Athinës. Vizita u zhvillua në kuadrin e bashkëpunimit mes Fakultetit dhe Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë dhe u realizua me mbështet e ambasadores fuqiplotë, znj. Eleni Surani dhe kujdesin e z. Konstandinos Kyriou.

Gjatë ekspeditës mësimore, studentët, të cilët u përzgjodhën nga Departamentet respektive mbi kriterin e mesatares, barazisë gjinore dhe të profilizimit të përftuar nga programe specifike studimore, patën mundësi të vizitonin vende të ndryshme historike dhe arkeologjike të Athinës. Ditën e parë, studentët vizituan mjediset e reja të Bibliotekës Kombëtare të vendosura në Qendrën Kulturore të Fondacionit Stavros Niarchos, ku u informuar për të gjitha shërbimet, proceset, veprimet dhe aktivitetet e bibliotekës. Në vazhdim, vizituan Muzeun Bizantin të Athinës, një nga muzetë më të rëndësishëm në mbarë botën për artin dhe kulturën e kohës bizantine dhe pasbizantine. Më tej, studentët vizituan Arkivin Paleografik dhe Historik, ku u pritën nga prof.  Agamemnon Tselikas dhe u informuan mbi aktivitetet e institucionit dhe koleksionin e rëndësishëm të dorëshkrimeve dhe dokumenteve historikë.

Të nesërmen, u realizuan vizita në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Athinës dhe në Bibliotekën Onassis, ku studentët u njohën me arkivin e poetit Konstantin Kavafi dhe dy koleksione te çmuar librash të dorëshkruar, inkunabula dhe të shtypshkruar të vjetër. Ndër të tjera, studentët panë nga afër edhe dy nga librat e botuar ne Shtypshkronjën e Voskopojës, të shtypur në vitet 1741 dhe 1744.

Dita e tretë e vizitës së tyre ishte në ambientet e Fakultetit Filozofik të Universitetit Kombëtar Kapodistria të Athinës. Profesorët dhe studentët shqiptarë u takuan me Dekanen e Fakultetit Filozofik, prof. Eleni Karamalegou dhe përfaqësuesit e Departamenteve, me të cilët zhvilluan diskutime për bashkëpunime të ardhshme mes dy Fakulteteve. Për më tepër, studentët patën mundësinë të vizitojnë Muzeun e Arkeologjisë dhe Historisë së Artit të Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë si dhe Bibliotekën e re të Fakultetit Filozofik. Në vijim, znj. Irene Solomonidis priti grupin nga Shqipëria në Bibliotekën Gennadius në Shkollën Amerikane të Studimeve Klasike në Athinë. Studentët patën mundësi të njohin nga afër disa prej ekzemplareve më të përveçëm të kësaj biblioteke si dhe një koleksion me libra të vjetër të shtypur dhe gravura mbi heroi tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, të ekspozuar enkas për ta.

Udhëtimi u përmbyll me një vizitë unike në Muzeun dhe në sitin arkeologjik të Akropolit, madhështinë kulmore të “shekullit të artë” të Perikliut. Studentët përmes referateve të përgatitura, dëshmuan njohuritë mbi mitet e njohura të Athinës antike, ceremonitë pagane, kultet e lashta të qytetit si dhe ngjarjet vendimtare për historinë.

Shpërnda lajmin: