Akreditimi i UT duhej bërë më herët, qeveria të rrisë buxhetin për arsimin dhe kërkimin shkencor


Intervistoi: Enida Vërça

Prof. dr. Sabri Laçi, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, në një intervistë për gazetën “Shekullin”, thekson se akreditimi ka ardhur si rezultat i pasqyrimit të vlerave që mbart universiteti, edhe pse me vonesë. Ai shtroi nevojën për më shumë financim për punën shkencore, si dhe rritje të pagave të pedagogëve dhe punonjësve të tjerë të universiteteve publike.

Sipas tij, akreditimi me 4 vite është një vlerësim që duhet të jepej me kohë nga ana e agjencisë britanike. Ky vlerësim, shton ai, ka ardhur me vonesë, pasi nuk ka pasur një prezantim të plotë në vitet e mëparshme për të gjitha vlerat që mbart ky universitet. Më tej, dekani Laçi e vë theksin edhe tek puna shkencore, si një pikë mjaft e fortë e prezantimit të universitetit në mënyrë dinjitoze. Ai tha se financimi nga MASR për punën shkencore ka qenë shumë i paktë dhe se stafet akademike kanë kërkuar vazhdimisht rritjen e tij, duke shtuar se vëmendja e qeverisë në këtë aspekt thelbësor të veprimtarisë së universiteteve duhet të jetë më e madhe. Po ashtu ai ndalet edhe tek pagat e pedagogëve, një pjesë e të cilave (2-3 muaj në vit) ende paguhen nga fondi i fakulteteve i akumuluar ndër vite, duke shtuar se ka një premtim nga autoritetet e dikasterit të arsimit se në buxhetin e ardhshëm të shtetit, do të parashikohet fondi i plotë i pagave për 12 muajt e vitit. Në fjalën e tij z. Laçi shfaqet kritik ndaj qeverisë, kur nënvizon se pagat e stafeve akademike në universitet publike të Shqipërisë janë shumë më të ulëta se në vendet fqinje.

Prof. Laçi, çfarë do të thotë akreditimi i UT-së me 4 vite nga agjencia britanike?

Universiteti i Tiranës ka merituar akreditim për një periudhë edhe më të gjatë, nisur nga fakti se për të njëjtat vlerësime sipas zërave, universiteteve të tjera të vendit u është akorduar akreditim për 5 vite. Aplikimi i dy standardeve është i padrejtë. Universiteti i Tiranës është me tradita, me një histori gati 70 vjeçare, me staf të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit dhe me potencial njerëzor të jashtëzakonshëm. Ai është universiteti më i njohur dhe pranuar si partner në arenën ndërkombëtare. Ndër vite ka akumuluar dije, botime, infrastrukturë në shërbim të mësimit, kërkimit dhe zhvillimit të vendit, është pjesëmarrës aktiv në shumë projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. UT-ja është aktor shumë i rëndësishëm në veprimtaritë kërkimore-shkencore në fusha shumë të rëndësishme si: albanologjia, ekonomia, drejtësia, shkencat natyrore dhe ato sociale, gjuhët e huaja etj. Praktikisht ai ka ecur me sigurinë që ka një institucion i maturuar dhe me produktivitet të afirmuar, të njohur dhe të pranuar nga rrjetet e edukimit dhe të kërkimit shkencor ndërkombëtar. Nisur nga të gjitha këto karakteristika që UT-ja i mëshiron në vetvete, kemi bindjen se ai ka merituar edhe më shumë se kaq. Sigurisht ne nuk jemi të përkryer, e shikojmë me realizëm situatën tonë dhe të gjitha stafet akademike janë të angazhuara për të përmirësuar cilësinë e punës, për të shtuar dhe përditësuar veprimtaritë mësimore dhe shkencore, për të thelluar kualifikimin dhe zgjeruar pjesëmarrjen aktive në projekte, sipas modeleve dhe standardeve botërore më të mira. Kemi një performancë të lavdërueshme për sa i përket pjesëmarrjes në Programin ERASMUS PLUS, të financuar nga Bashkimi Europian, ku fakultetet, departamentet, pedagogët, studentët dhe stafet ndihmëse janë aktivë, si njësi kryesore apo bazë të UT-së, qoftë individualisht. Ky dhe programe të tjera të ngjashme janë dritare të hapura për bashkëpunim, shkëmbim përvoje, kërkim shkencore, mësim dhe kualifikim.

Në Universitetin e Tiranës studiojnë studentë që kanë ardhur nga gjimnazet me notë mesatare të lartë (pjesa më e madhe mbi tetë), të cilët kanë njohuri të mira në disa gjuhë të huaja, kanë vullnet për punë dhe dije, si dhe cilësi të tjera shumë të mira. Universiteti është i angazhuar t’u ofrojë atyre njohuri bashkëkohore dhe cilësore, për t’i përgatitur sa më mirë për tregun e punës, brenda dhe jashtë shtetit. Edhe kjo është një arsye pse besojmë se ai meritonte akreditim për një periudhë më të gjatë.

Mendojmë se një meritë të veçantë në prezantimin e UT-së para agjencisë britanike të akreditimit ka Grupi i Punës, i ngritur nga Universiteti i Tiranës, me përfaqësues nga rektorati dhe të gjitha fakultetet, i cili përgatiti Raportin për Vlerësim e Brendshëm, që iu paraqit për vlerësim kompanisë së akreditimit. Grupi, i përbërë nga specialistë të çështjeve të mësimit (programeve dhe planeve mësimore), kërkimit shkencor, projekteve, botimeve, menaxhimit, administrimit etj., ka qenë shumë i përkushtuar, kompetent dhe efikas. Në raportin e përgatitur prej tij sipas formatit të kërkuar nga agjencia e akreditimit, realiteti që ekziston në Universitetin e Tiranës është pasqyruar në mënyrë më të plotë dhe më të saktë.

Gjithashtu, të gjitha kategoritë e punonjësve dhe studentëve të intervistuar nga stafi i agjencisë britanike kanë demonstruar përgjegjshmëri, objektivitet dhe cilësi të tjera të spikatura, duke përfaqësuar dhe prezantuar me dinjitet Universitetin e Tiranës. Vlerësimi me 4 vite akreditim, për të gjitha ata që e kanë lidhur fatin e tyre me Universitetin e Tiranës, shihet si një vlerësim për arritjet e deritanishme dhe si sfidë për më shumë punë dhe rezultate në të ardhmen në të gjitha drejtimet e veprimtarisë universitare: rritje të cilësisë dhe të besueshmërisë tek ky institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë.

Në vitin 2017 UT-ja u vlerësua vetëm më një vit akreditimi nga e njëjta agjenci, çfarë ndryshoi për kaq pak kohë që sot mori një vlerësim të tillë?

Në dijeninë time nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Sigurisht, një vit punë në universitet ka arritje dhe risi, por, siç e përmendem, ka ndryshuar rrënjësisht mënyra e prezantimit të vlerave të Universitetit të Tiranës. Cilësitë dhe vlerat e UT-së këtë herë janë pasqyruar në mënyrë më të plotë, pa neglizhuar asnjë element, si dhe sipas formatit të kërkuar nga agjencia e akreditimit. Me sa duket, Raporti i Vlerësimit të Brendshëm i vitit 2017 nuk e ka pasqyruar realisht gjendjen e UT-së dhe se angazhimi i strukturave, stafeve dhe çdo individi të përfshirë në procesin e akreditimit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Kjo mund të ketë ardhur edhe nga mungesa e përvojës në procese të tilla, por edhe nga njëfarë nënvlerësimi, indiference a neglizhence e personave dhe grupeve të intervistuara lidhur me procedurat, nisur nga ideja se UT-ja është elitar, i konsoliduar dhe  meriton vlerësim maksimal. Agjencia e akreditimit, me të drejtë, ka gjykuar mbi çfarë ka parë dhe dëgjuar konkretisht, si dhe mbi raportin që i është dorëzuar atë vit. Gjithsesi, kjo i përket të shkuarës, nga e cila kushdo që militon në UT, ka nxjerrë mësime për të ardhmen.

Në gjykimin Tuaj, a ka vend për përmirësim?

Sigurisht që po. Në botën akademike asnjëherë dhe askush nuk mund të pretendojë se ka arritur përsosmërinë. Vit pas viti organet dhe autoritetet drejtuese, ashtu si edhe çdo anëtar i stafit, bën bilancin e punës dhe sheh ku janë hapësira për përmirësim. Risi për këtë vit është hapja e programeve të reja në kategorinë “Master Profesional”, të cilat vijnë në përgjigje të zhvillimeve bashkëkohore dhe në përputhje me kërkesat e tregut të punës brenda dhe jashtë vendit. Është konstatuar se ende ka shumë hapësira të pashfrytëzuara lidhur me angazhimin e stafeve dhe studentëve në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, kërkohet informim më i gjerë dhe më i shpejtë i stafeve dhe studentëve mbi ofertat që vijnë nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, nga universitete partnere dhe agjenci kërkimore-shkencore. Gjithashtu, kërkohet më shumë punë paraprake për trajnimin e të gjithë të interesuarve për angazhim në projekte. Në fushën e botimeve ende ka mangësi dhe rezerva të pashfrytëzuara. Çdo individ dhe njësi bazë, pasi të jetë njohur me kërkesat e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe aktet nënligjore, duhet të planifikojë botime sipas standardeve ndërkombëtare, me qëllim që të plotësojë kushtet për kualifikim të mëtejshëm shkencor dhe profesional. Botimet në nivel njësish bazë apo kryesore kërkohet të formatohen sipas modeleve në universitetet e vendeve të zhvilluara, duke i kushtuar vëmendje të veçantë vlerave origjinale dhe aplikative.

Sipas Jush, a është financuar sa dhe si duhet kërkimi shkencore nga MASR?

GDP-ja për arsimin për kërkim është diku tek 3,1%, që do të thotë është vërtetë shumë i ulët. Dihet se ky buxhet ndahet, shkon kryesisht për arsimin dhe shumë pak për kërkimin shkencor. Financimi i pamjaftueshëm është pengesë për veprimtari kërkimore. Nëse kërkohet të realizohen punime shkencore cilësore në shërbim të zhvillimeve në Shqipëri, në të gjitha fushat, më parë duhet siguruar buxheti për to. Çdo departament dhe fakultet i UT-së ofron studime të thelluara në fusha me rëndësi për shtetin. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, të cilin e drejtoj që prej një viti, ofron studime me rëndësi kombëtare në fusha si historia, arkeologjia, trashëgimia kulturore, gjeografia, gjuha, letërsia, gazetaria, komunikimi etj. Sigurisht që bota akademike ka mundësinë të gjera të kërkojë mbështetje financiare edhe nga donatorë dhe institucione të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, publike dhe private, por sigurimi i financimit të kërkimit shkencor nga buxheti i shtetit do të ishte një premisë për studime cilësore, një garanci për përfundimin dhe aplikimin e tyre, si dhe do t’i jepte vlerën që meriton këtij komponenti vital të veprimtarisë universitare. Besojmë se rritja e fondit për arsimin dhe kërkimin shkencor në 4,5-5% të GDP-së së vendit do të reflektohej menjëherë në përmirësimin e cilësisë së punës dhe të rezultateve në sektorin e edukimit dhe të kërkimit shkencor.

A kanë kërkuar organet dhe autoritetet drejtuese të UT-së rritjen e financimi për punën shkencore dhe çfarë përgjigje është marrë?

Universiteti i Tiranës në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar rritjen e financimit për punën shkencore por, siç u nënvizua më lart, universiteti ende nuk financohet plotësisht për punën mësimore. Forumi për të drejtat dhe liritë akademike, si organizatë e pavarur që bashkon pedagogët e UT-së, e ka artikuluar dhe paraqitur me shkrim çështjen e pagave dhe të financimit të kërkimit shkencor deri në instancat më të larta. Kemi marrë premtime nga drejtuesit shtetëror për rritjen e financimit për punën mësimore dhe atë shkencore. Në fakt, sa i përket Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, ka pasur më shumë interesim dhe mbështetje të drejtpërdrejt nga MASR për veprimtaritë shkencore gjatë vitit akademik 2017-2018, si në rastin e financimit të pjesëmarrjes së stafit në “Seminarin për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, që u mbajt në Prishtinë më 21-31 gusht 2018. Gjithsesi, është shumë e rëndësishme që vëmendja e qeverisë shqiptare ndaj UT-së të jetë më e madhe, me qëllim që kërkimi shkencor të kanalizohet në drejtime që i shërbejnë zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor. Mbështetja nga buxheti i shtetit do të ishte një garanci për ecurinë e punës kërkimore, por kurrsesi nuk do të zbehte përpjekjet e stafeve dhe individëve për të shfrytëzuar mundësitë që krijon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.

Si i vlerësojnë pagat stafet akademike, a janë të kënaqur?

Çështja e pagave në universitetet publike lë shumë për të dëshiruar. Mjafton të krahasojmë pagat e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri me ato në Kosovë apo Maqedoni për të parë që diferenca është e jashtëzakonshme. Një profesor në Universitetin e Tiranës merr afërsisht gjysmën e pagës që merr një homolog në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Shkupit. Ndërkohë, Kosova nuk ka buxhet më të madh sesa Shqipëria, përkundrazi, edhe në raport me popullsinë, buxheti i Shqipërisë është më i fuqishëm, por, me sa duket, atje stafet akademike janë vlerësuar më realisht. Është fakt i pamohueshëm që pagat e punonjësve të IAL-ve publike në Shqipëri nuk janë rritur realisht që prej shumë vitesh. Jemi të bindur se një pagë më e mirë do të reflektohej menjëherë në punë më cilësore.

Publikuar nga Eno Shkëmbi në gazetën “Shekulli”, më 01.11.2018.

Shpërnda lajmin: