Shkolla Verore e Osmanishtes, 10-22 korrik 2017

Shkolla Verore e Osmanishtes, organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, me mbështetjen e Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë, zhvillohet si vazhdimësi e së njëjtës shkollë mbajtur një vit më parë. Ajo synon t’u mundësojë studentëve të nivelit Bachelor, të degëve të Historisë dhe Gjuhë-Letërsisë, përvetësimin e osmanishtes, në mënyrë që më pas ata të jenë në gjendje të transkriptojnë dokumentacione me rëndësi të veçantë historike, që gjenden në arkiva.

Këtë vit, Shkolla Verore e Osmanishtes do të zhvillohet në dy nivele:

  1. Niveli fillestar
  2. Niveli i avancuar

Apliko tani…

Për çdo nivel do të pranohen nga 22 studentë.

Për hartimin e programit jemi mbështetur në përvojën e mëparshme, në nevojat që kanë studentët për këtë lloj dijeje, si dhe në nevojat që kanë arkivat dhe rrethet shkencore për përgatitjen e studiuesve në fushë të studimeve osmane.

Leksionet do të zhvillohen pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, si dhe pranë Bibliotekës së Qendrës së Gjuhës dhe të Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë.

Programi mësimor do të realizohet në auditor dhe jashtë tij.

Programi në auditor përmban:

  1. Leksione për mësimin e osmanishtes (1).
  2. Leksione për mësimin e osmanishtes (2).
  3. Leksione me njohuri të zgjeruara për historinë e periudhës së Perandorisë Osmane.
  4. Leksione mbi ndikimet gjuhësore të osmanishtes në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.
  5. Leksione mbi shkrimet e vjetra të shqipes me këtë alfabet.

Leksionet e osmanishtes do të mbahen nga pedagogë turq, të ardhur nga Universiteti i Stambollit (Istanbul Universitesi), në Turqi.

Programi jashtë auditorit përmban:

  1. Vizitë në Arkivin Shtetit dhe bisedë informuese për dokumentacionin zyrtar dhe fermanët që gjenden aty.
  2. Vizitë në Muzeun Historik Kombëtar.
  3. Ekspedita në qytetet ku ndeshen gjurmë të arkitekturës osmane, si në Berat dhe Shkodër, ku do të punohet në terren për leximin e shkrimeve të vjetra me alfabet osman.

Në përfundim të kësaj shkolle, verore studentët do të përgatisin nga një ese me tematika brenda kësaj fushe studimi, do të japin testin e gjuhës osmane, sipas nivelit të ndjekur dhe do të pajisen me certifikatën përkatëse.

Shpërnda lajmin: