Departamenti i Historisë


Departamenti i Historisë ofron programin e studimit Bachelor në Histori, në përfundim të të cilit studentët pajisen me diplomën Bachelor në Histori. Në kuadrin e studimeve të nivelit Master Profesional, Departamenti i Historisë ofron dy programe studimi Master Profesional në Arkivistikë dhe Mësuesi. Në përfundim të studimeve në këto programe studentët pajisen me diplomën Master Profesional në Arkivistikë dhe Master profesional në Mësuesi. Që prej vitit akademik 2012-2013 programi i studimit Master profesional në Mësuesi mund të ndiqet edhe me kohë të pjesshme.

Departamenti ofron dy programe studimi Master Shkencor në fushat Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Histori, në përfundim të të cilave studentët pajisen me diplomat Master Shkencor në fushën përkatëse.

Departamenti ofron edhe programe studimi të doktoraturës në specialitetet Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në përfundim të të cilave jepet titulli doktor në fushën përkatëse.

Duke qenë se Departamenti i Historisë mbulon profilin mësuesi dhe studiues të historisë, arkivistë, specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, objektivat kryesore të departamentit janë:

  1. Përgatitja cilësore e mësuesve të Historisë për shkollat e mesme.

Për të arritur një përgatitje cilësore të mësuesve, Departamenti i Historisë ka synuar të zbatojë disa objektiva të cilat mendojmë se kanë ndjekur ritmet e zhvillimit të vendit tonë, të zhvillimit të mendimit historik, të kërkesave në rritje të shkollës e të shkencës shqiptare për cilësi, si:

  1. Përzgjedhje sa më e mirë e stafit mësimdhënës duke lakmuar nivel sa më të lartë cilësor si dhe kualifikim i vazhdueshëm shkencor i tij.
  2. Pjesëmarrje sa më e gjerë dhe me personalitet shkencor në të gjitha veprimtaritë shkencore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e albanologjisë, brenda e jashtë vendit.
  3. Bashkëpunim shkencor e pjesëmarrje e pedagogëve tanë, krahas punonjësve shkencorë të Qendrës së Studimeve Albanologjike, në hartimin e veprave madhore me rëndësi kombëtare.
  4. Përgatitja e mësuesve të aftë profesionalisht të pajisur me dije bashkëkohore.
  5. Rritja e nivelit të cilësisë së mësimdhënies nga ana e stafit pedagogjik duke lakmuar metodat e leksioneve bashkëkohore të tipit problemor.
  6. Nxitja e të mësuarit aktiv dhe logjik te studentët për të rritur cilësinë e përvetësimit të njohurive.
  7. Përfshirjen e studentëve në veprimtaritë shkencore.
  8. Mbështetja e orës së mësimit (ligjërata e seminare) me literaturën shkencore të nevojshme e bashkëkohore, si dhe nxitja e debatit te studentët mbi problemet aktuale të historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
  9. Futjen e teknikave të reja të mësimdhënies që synojnë veçanërisht aftësimin praktik të studentëve si dhe pajisjen e departamentit me teknologji bashkëkohore.
  10. Përgatitja e specialistëve të historisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të arkivistikës, të cilët mund të punojnë në institucionet e ndryshme kërkimore-shkencore, në qendrat e studimeve albanologjike, në departamentet përkatëse të universiteteve private rajonale dhe si specialistë të niveleve të ndryshme të administratës publike, qendrore dhe vendore.

Objektivat e mësipërme, departamenti nuk i ka  zhvilluar vetëm për përgatitjen e studentëve të degës histori, por duke qenë njësia mësimore e shkencore e vetme me këtë profil në UT i ka zhvilluar edhe në degë e fakultete të tjera brenda e jashtë vendit ku prej shumë vitesh, stafi akademik i departamentit është i angazhuar në mësimdhënie.

Departamenti i Historisë mbulon lëndët e historisë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, universitete rajonale dhe në universitete private, universitete shqiptare të Prishtinës dhe të Tetovës, Akademinë e Arteve të Bukura, etj. Për të ngritur cilësinë e mësimdhënies si dhe për të mbajtur gjallë shkëmbimin shkencor me sektorët përkatës të Qëndrës së Studimeve Albanologjike (QSA) dhe me Akademinë e Shkencave, një pjesë e lëndëve mësimore është dhënë e vazhdon të jepet nga punonjës shkencorë (me tituj e grada shkencore, shumica profesorë dhe profesorë të asociuar) të këtyre institucioneve. Me këto institucione departamenti i Historisë ka pasur një lidhje të ngushtë e të vazhdueshme, jo vetëm për faktin se punonjës shkencorë të tyre kanë një përvojë gati 25-30 vjeçare mësimdhënieje te ne, por të gjitha veprimtaritë shkencore, të organizuara nga departamenti ynë janë bërë në bashkëpunim me QSA.

Objektivat e Departamentit të Historisë kanë qenë gjithmonë në përputhje me objektivat e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, i cili ka ndjekur politikat afatgjata e afatshkurtra qeveritare të zhvillimit të arsimit të lartë.

Shpërnda lajmin: